Vendet e BE-së kanë vendosur masa ndëshkuese ndaj Kosovës pasi qeveria e kryeministrit Albin Kurti nuk i ka dëgjuar kërkesat e BE-së dhe SHBA-së për të qetësuar situatën në veri të vendit pas konfliktit më të rëndë në dhjetë vjet.
BE-ja nuk do të heqë sanksionet politike dhe ekonomike ndaj Kosovës nëse qeveria nuk de-përshkallëzon tensionet me serbët etnikë, tha të martën i dërguari i BE-së Miroslav Lajçak gjatë një vizite në Prishtinë, shkruan Reuters.
Masat përfshijnë ndalimin e vizitave të zyrtarëve kosovarë në BE dhe pezullimin e pjesës më të madhe të ndihmës ekonomike të BE-së për republikën e vogël ballkanike, dhe Brukseli ka paralajmëruar për masa të mëtejshme nëse Kurti nuk merr masa për të ulur tensionet.
“Dëshira ime është që të mos ketë sanksione. Qëllimi i këtij misioni, natyrisht, dhe diskutimi që po bëjmë është të arrijmë në fazën kur këto masa do të ndërpriten”, tha Lajçak.
Kurti në deklaratë ka theksuar se i ka thënë Lajçakut se “masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës janë të padrejta dhe e bëjnë dialogun asimetrik”.
Dhuna në Kosovën veriore, shtëpia e 50,000 serbëve shpërtheu në fund të majit pasi kryetarët shqiptarë etnikë morën detyrën pas zgjedhjeve lokale të bojkotuara nga serbët që kërkonin zbatimin e një marrëveshjeje dhjetëvjeçare për autonomi më të madhe.
Në përleshjet me demonstruesit serbë, rreth 30 ushtarë të forcave paqeruajtëse të NATO-s që po mbronin tri ndërtesa komunale në veri të Kosovës u plagosën rëndë.
Lajçak tha se BE dëshiron gjithashtu që Serbia, së cilës serbët në veri të Kosovës i mbeten besnikë, 15 vjet pasi Kosova shpalli pavarësinë, të veprojë në mënyrë konstruktive për të lehtësuar krizën ose të përballet me ndëshkime.
“Bashkimi Evropian e ka bërë të qartë se ka sanksione të gatshme edhe për Serbinë dhe se ato do të zbatohen nëse shtetet anëtare vendosin që Serbia nuk i plotëson kërkesat e BE-së”, tha Lajçak, i cili sot ndodhet në Beograd.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, aleatët kryesorë të Kosovës, kryesisht e konsiderojnë Kurtin përgjegjës për tensionet në veri, sepse ai vendosi katër kryebashkiakë shqiptarë etnikë në zyrat e tyre me mbrojtje policore, pavarësisht kundërshtimeve nga serbët vendas.