Rizvanolli njofton se po finalizojnë skemën e re mbështetëse për prodhuesit vendorë të energjisë

Rizvanolli njofton se po finalizojnë skemën e re mbështetëse për prodhuesit vendorë të energjisë

Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, të martën ka bërë të ditur se Qeveria është në fazën përfundimtare të hartimit të një skeme të re mbështetëse për prodhuesit vendorë, me qëllim që t’i ndihmojë ata të përballen me sfidat e liberalizimit të tregut të energjisë elektrike.

Kjo skemë po zhvillohet me mbështetjen e Agjencisë Luksemburgase për Zhvillim (LuxDev) dhe do të përfshijë:

• Izolimin e ndërtesave,

• Sisteme solare fotovoltaike për prodhimin e energjisë,

• Sisteme solare termike për ngrohjen e ujit,

• Bateri për ruajtjen e energjisë nga sistemet solare,

• Rregullatorë të fuqisë reaktive, që ulin konsumin dhe rrisin efiçiencën e pajisjeve ekzistuese.

“Kjo do të thotë më pak kosto për energji, më shumë konkurrueshmëri dhe siguri më të madhe për çdo biznes që prodhon në Kosovë”, shkroi Rizvanolli.

Ministrja njoftoi gjithashtu se këto masa, bashkë me të tjera që Qeveria po shqyrton, janë diskutuar në Forumin “Liberalizimi i Tregut të Energjisë Elektrike: Efektet dhe Masat Lehtësuese”, i cili është pjesë e Platformës për Dialogun Publiko-Privat. Në këtë forum morën pjesë Kryeministri Albin Kurti, Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, së bashku me përfaqësues të odave dhe bizneseve vendore.

Rizvanolli theksoi se Qeveria e Kosovës mbetet një partner i afërt i sektorit privat, si në përballjen me sfidat, ashtu edhe në rritjen e kapaciteteve të tij. / Gazeta Enigma.

Related Articles