Ministria e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka thënë se në Kosovë nuk ka pasur investime serioze në 40 vitet e fundit.
Rizvanolli ka thënë se siguria e furnizimit me energji elektrike në Kosovë bazohet nga termocentrale që janë të vjetra 40 dhe 60 vite, shkruan Gazeta Enigma.
“Ne kemi një fat në fatkeqësi, që nuk e përdorim gazin. Nga ana tjetër, si shtet përballemi me këtë krizë të paprecedentë në një kohë, kur për 40 vite nuk kemi pasur investime serioze në sektorin e energjisë. Për sigurinë tone të furnizimit ne duhet të bazohemi në termocentrale 40 dhe 60 vite të vjetra, të cilat sigurisht në çdo moment mund të kenë prishje të paparashikuara, të cilat na kushtojnë shumë. Dhe kjo nuk është një gjë që mund të rregullohet brenda natës”, ka thënë Rizvanolli për DW.
Ajo ka bërë të ditur se kanë një vizion të qartë në sektorin e energjisë.
“Mirëpo ajo çfarë është me rëndësi është që ne e kemi një vizion të qartë për atë ku do të shkojmë. Për herë të parë strategjia jonë e energjisë synon dekarbonizimin deri në vitin 2050, në linjë me agjendën e gjelbër evropiane dhe për herë të parë ne marrim parasysh edhe ndikimin e taksës së karbonit në implikimin në tregun evropian dhe implikimet që ai do t’i ketë për sektorin energjetik të Kosovës. Synojmë të jemi ambiciozë, përsa i përket burimeve të ripërtërishme të energjisë, fushë për të cilën edhe shteti gjerman ka shumë interesim të na ndihmojë”./GAZETA ENIGMA/