Rizvanolli thotë se “asnjë zyrtar i qeverisë dhe LVV nuk ka lidhje me kompaninë EFT”

Rizvanolli thotë se “asnjë zyrtar i qeverisë dhe LVV nuk ka lidhje me kompaninë EFT”

Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se asnjë zyrtar i Qeverisë së Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje nuk ka asnjë lidhje me kompaninë EFT të Vuk Hamoviq.

Sipas saj, KOSTT dhe KEK si dhe KEDS dhe KESCO kanë konfirmuar se gjatë qeverisjes së LVV-së nuk kanë pasur asnjë kontratë për import të energjisë elektrike nga kompania serbe EFT.

Rizvanolli në një konferencë për media të premten tha se ish-opozita po keqpërdor qëllimshëm të dhënat e ankandeve të kapaciteteve ndërkufitare të cilat kompania EFT i shfrytëzon për të bartur energji elektrike transit përmes kufijve energjetikë të Kosovës, raporton KosovaPress.

“Po thuhet që disi qeveria e Lëvizjes Vetëvendosje është e lidhur me kompaninë EFT. Dua të them qartë: asnjë zyrtar i qeverisë dhe as Lëvizjes Vetëvendosje nuk ka asnjë lidhje me EFT-në. Është komplet gënjeshtër. E dyta, po thuhet se Kosova po importon nga EFT. Nuk ekziston asnjë fakt që Kosova ka importuar nga EFT gjatë qeverisjes sonë. Edhe kjo është komplet gënjeshtër. E treta, po keqinterpretohen qëllimshëm të dhënat e ankandeve të kapaciteteve ndërkufitare të cilat EFT i shfrytëzon për të bartur energji transit në shtetet tjera përmes kufijve energjetikë të Kosovës për të krijuar bindjen se Kosova po blen nga EFT. Kjo është komplet gënjeshtër. E katërta, po flitet për importin e energjisë thuajse është qeveria ajo që blen energji. Ndërmarrjet publike KOSTT dhe KEK kanë konfirmuar se gjatë qeverisjes sonë nuk kanë pasur asnjë kontratë me EFT-në. Për më tepër, edhe ndërmarrjet KESCO dhe KEDS kanë konfirmuar se s’kanë pasur asnjë kontratë me EFT-në gjatë këtyre viteve të qeverisjes sonë”, tha ajo.

Duke folur për akuzat se Kosova ka importuar energji nga EFT më 28 nëntor, ajo tha se kompania EFT ka bartur vetëm energji transit përmes Kosovës dhe se destinacioni final ka qenë Maqedonia e Veriut.

“Ju kam treguar, se më 28 nëntor EFT ka bartur energji nga Mali i Zi në Kosovë dhe nga Maqedonia në Kosovë. Mirëpo, KOSTT i ka analizuar të gjitha të dhënat e plota dhe të detajuara, dhe ka konstatuar se e tërë energjia që ka hyrë në Kosovë nga EFT, ka dalë nga Kosova. EFT e ka shfrytëzuar rrjetin vetëm për transit dhe asnjë megavat nuk ka mbetur në Kosovë. Kjo i bie sikur malli i një kompanie me pronar serb që hyn nga Mali i Zi dhe kalon nga Kosova në Maqedoni të Veriut dhe shitet atje të quhet import i Kosovës nga Serbia. Kjo është komplet e pabazë dhe e pasaktë”, tha Rizvanolli.

Ministrja në detyrë akuzoi partitë e ish-opozitës që gjatë kohës sa kanë qenë në pushtet kanë blerë energji elektrike nga EFT, prej vitit 2008 deri në vitin 2018.

Related Articles