Ambasadori gjerman, Jorn Rohde, ka shkruar edhe njëherë për kërkesat që kanë ndaj Serbisë pas sulmit terrorist të 24 shtatorit, pas miratimit të një rezolute për këtë ngjarje nga Parlamenti Europian.
“Rezoluta e PE për situatën në Kosovë pas sulmit terrorist më 24.9. në Banjska. Siç tha kancelari Scholz, ne kërkojmë hetime intensive dhe kërkojmë nga Serbia të bashkëpunojë në hetimet e udhëhequra nga autoritetet e Kosovës. Ai gjithashtu nënvizoi nevojën urgjente që të dyja palët të zgjidhin konfliktin”, ka shkruar Rohde, duke shpërndarë një postim në X nga eurodeputetja Viola von Cramon për këtë rezolutë.
Ajo tha se rezoluta kërkon nga BE dënimin më të ashpër të mundshëm të sulmit ndaj policisë së Kosovës nga paraushtarakët e udhëhequr nga Milan Radoiçiq; hetimin e sulmit në Banjska nga autoritetet e Kosovës me mbështetjen e BE-së; Serbia të bashkëpunojë pa kushte në hetim; plani i kontrollit të KFOR’it për veriun, duke përfshirë përforcimin dhe shtimin; de-përshkallëzimi në veri dhe kthimi në dialogun e udhëhequr nga BE-ja; Zbatimi i të gjitha marrëveshjeve të kaluara, përfshirë Asociacionin.