Tetori rozë: Vetëm në nëntë mujorin e parë të këtij viti mbi 300 femra diagnostikohen me kancer të gjirit në Kosovë

Tetori rozë: Vetëm në nëntë mujorin e parë të këtij viti mbi 300 femra diagnostikohen me kancer të gjirit në Kosovë

Kanceri i gjirit është duke e zënë vendin e parë prej tumoreve në përgjithësi në Kosovë, shkruan Gazeta “Enigma”.

Vetëm në nëntë muajt e parë të vitit 2023 në Kosovë 332 femra janë diagnostikuar me kancer të gjirit. Ndërsa në nëntë muajt e parë të vitit që lamë pas kanceri i gjirit ka prekur 383 pacientë.

Viti 2022 ka qenë sfidues pasi ka pasur rritje të rasteve me kancer të gjirit deri në 20%, më shumë se në vitin 2021.

“Kemi provuar paruke dhe shaje sa çdo ‘fashiniste’ do na e kishte zili”

Psikologia Silvana Kola rrethë një muaj më parë ka bërë një postim prekës lidhur me kancerin e gjirit, sëmundje e cila e ka prekur edhe atë.

“Për të pathënat e kancerit të gjirit. Nuk është vetëm gruaja e diagnostikuar me kancerin e gjirit për të cilën duhet folur në çdo tetor dhe në çdo ditë të vitit”, ka shkruar ajo.

Tutje Kola ka shtuar se “familjarët e një gruaje pa gji(nj), pa flokë dhe pa shumë fuqi për të menduar për të nesërmen janë gjithashtu diçka për të cilën duhet folur fort”.

Duke publikuar një foto të sajën me flokët e prera për shkak të kimioterapisë, psikologia shkruan se një ndër elementët më të fortë të përballjes me kancerin është shformimi fizik.

“Prindërit që janë ende gjallë dhe shikojnë fëmijën që kapet me thonj pas jetës…, Bashkëshortët që ndjejnë frikë nga një jetë pa atë që kanë menduar se do ta kishin përjetë në krah…, Fëmijët që ndjejnë ftohtë nga ideja e një foleje që mund të zhduket…”.

“Kanceri nuk është një sëmundje e individit. Është një sëmundje e familjes”

Sipas Kolës “një ndër elementët më të fortë të përballjes me kancerin është shformimi fizik. Jo vetëm gjymtimi i trupit, por rënia e flokëve prej trajtimeve gjithashtu”.

E prekur nga kanceri i gjirit, psikologia shqiptare rrëqeth me rrëfimin.

“Kur fillova kemion doktoresha më ofroi mundësinë e një praktike që mund të më ruante një pjesë të flokëve: gjatë kemios mund të mbaja në kokë një kapuç me elektroda dhe akull që të mos i lejonte folikulat e flokëve të përcëlloheshin nga kemio”, ka rrëfyer ajo.

I thashë doktoreshës: “Unë jam dagnostikuar me kancer të gjirit. Vajzat e mia meritojnë të shohin se si luftohet për jetën. Unë nuk i fshihem luftës dhe uniforma e kësaj luftë është një kokë pa flokë!”.

“Akti më i mençur i dashurisë për jetën dhe për familjen tonë ishte kur, në mes të sallonit, unë dhe im shoq qethëm me përpikmërinë e një berberi esnaf çdo qime të mundshme. Pati lotë, të qeshura dhe batuta të tipit: Tani do kursejmë në shampo! ( dhe të tjera si kjo.)”, ka shkruar Kola.

“Prindër, bashkëshortë, fëmijë të grave dhe vajzave të diagnostikuara me kancer të gjirit ju dërgoj një përqafim të madh e të ngrohtë kudo jeni, lutem të më mirëkuptoni për mospublikimin e fotove të prindërve dhe vajzave”, thuhet në rrëfimin e saj.

“Sa për ta ditur: kemi provuar paruke dhe shaje sa çdo ‘fashoniste’ do na e kishte zili”, ka përfunduar ajo.

Gazeta “Enigma” në muajin rozë ka kontaktuar me drejtorin e Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishi, i cili ka njoftuar se vetëm në nëntëmujorin e parë të vitit 2023 në Kosovë 332 femra janë diagnostikuar me kancer të gjirit.

“Nuk ka më listë të pritjes për terapinë me rrezatim në Klinikën e Onkologjisë”

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, sot ka vizituar Klinikën e Onkologjisë ku edhe është njoftuar nga menaxhmenti i kësaj klinike se fal sigurimit të aparatit të ri për rrezatim është arritur të eliminohet lista e pritjeve.

“Është kënaqësi të dëgjojë se më nuk ka listë pritje për Radioterapi, në Klinikën e Onkologjisë, falë investimeve që kemi bërë dhe punës shembullore të stafit të Klinikës së Onkologjisë që po punojnë me përkushtim dhe profesionalizëm”, u shpreh Ministri Vitia.

Ai tutje ka theksuar se janë ndarë afër 1 milion euro për investime të reja në këtë klinikë, që parashihet zgjerimi i shtretërve, shërbimeve, por edhe rinovime te hapësirave.

Ndërsa, Kurtishi ka falënderuar ministrin Vitia gjatë vizitës së tij në këtë repart për përkrahjen që i ka ofruar ai, ku edhe ka mundësuar heqjen e listë së pritjes aty.

“Më nuk kemi pritje për Radioterapi, përjashtuar rastet kur për arsye mjekësore pacientëve u caktohet data se kur duhet të fillojnë me rrezatime, raste te tjera nuk presin”, tha drejtori i Onkologjisë.

Kurtishi pohoi se me renovim dhe zgjerimin e hapësirave puna do të i’u lehtësohet edhe stafit shëndetësorë, ndërsa shtimi i kapaciteteve të shtretërve dhe riorganizimi i dhënies së shërbimeve onkologjike do plotësojë nevojat dhe cilësinë organizative të shërbimit në Klinikën Onkologjike.

Kurtishi: Duhet të rritet numri i njerëzve që e bëjnë mamografinë, ngaqë sipas tij, kështu mund t’i shmangemi sëmundjes

“Rekomandohet që mamografia të bëhet një herë në vit, nga mosha 40-45 vjeçare, kurse pas moshës 55-vjeçare ose 60 (vjeç) mamografia mund të bëhet edhe një herë në dy vite. Përjashtim bëjnë ato raste kur femrat kanë anamnezë pozitive, pra kur e kanë dikë në familje të sëmurë. 05:08 Apo më herët mund të bëhet tek femrat të cilat veç kanë bërë një ultrazë dhe është i dyshimtë se ai ndryshim në gji mund të jetë diçka më shumë se një formacion. Akoma jemi larg, nuk jemi në atë optimalen dhe ne duhet të bëjmë kontrolle më shpesh, duhet të bëjmë mamografinë dhe kjo do ta lehtësonte punën edhe të mjekut, por sidomos do të kishte benefite tek femrat. Pra, mamografi duhet të bëhet edhe atëherë kur nuk kemi probleme në gji”, u shpreh Kurtishi.

Kujtojmë se Klinika e Onkologjisë është e vetmja qendër gjithëpërfshirëse e onkologjisë, e cila kryen aktivitete që synojnë zhvillimin e ekuilibruar të të gjitha profesioneve shëndetësore në lidhje me trajtimin e sëmundjeve malinje. /GAZETA ENIGMA/

Related Articles