Ronaldo e ngrehu këmbën zhag, këta janë yjet që përfunduan në Arabinë Saudite

Ronaldo e ngrehu këmbën zhag, këta janë yjet që përfunduan në Arabinë Saudite

I pari dhe pararendësi ishte Cristiano Ronaldo, ndërsa më pas rruga u hap edhe për të tjerët.

Ylli portugez ishte i pari që nisi ta rriste potencialin e futbollit saudit, i cili në muajt e fundit e ka “pushtuar” tregun e futbollit evropian.

Yjet të shumtë të Kontinentit të Vjetër e përqafuan Saudi Pro League pas ofertave stratosferike që i morën, e të cilat ishin të parezistueshme për ta.

Në Arabinë Saudite përfunduan lojtarë kampionë dhe lojtarë me vlerë mbi mesatare.

Vlen të përmenden emra si Benzema, Koulibaly, Henderson, Kanté e Kessié për t’u bindur që liga arabe do të jetë mjaft e fortë në edicionin e ri.

Në Arabinë Saudite nuk përfunduan vetëm lojtarë të “moshës së shtyrë”, por edhe profesionistë në kulm të karrierës.

Për të bërë transferime të mëdha u përkujdes Al-Ahli, i cili së fundmi e transferoi tashmë ish-futbollistin e Barcelonës, me të shkuar në Atalanta e Milan, Franck Kessie.

Ai iu bashkua lojtarëve si Edouard Mendy, Roberto Firmino, Riyad Mahrez e Allan Saint-Maximin, të cilët do të jenë në dispozicion të trajnerit Matthias Jaissle.

Mjaft aktiv ishte edhe Al-Hilal, i cili drejtohet nga trajneri ekspert Jorge Jesus, që e do edhe Joao Felixin e Atletico Madridit, i cili megjithatë e ëndërron Barcelonën.

Në klubin saudit kanë përfunduar lojtarë të kalibrit të lartë si Kalidou Koulibaly, Sergej Milinkovic-Savic, Ruben Neves e Malcom (transferimi më i kushtueshëm absolut).

Ndërkaq, në Al Nassr, për t’i bërë karshillëk në fushën e blertë Ronaldos kanë shkuar Alex Telles, Seko Fofana, Marcelo Brozovic e mbi të gjitha Sadio Mané, një yll i futbollit evropian, që u nda me Bayernin vetëm pas një viti.

Jo vetëm skuadrat e mëdha dhe historike saudite bënë goditje të mëdha.

Aktive ishin edhe “të voglat”: Al Ettifaq ia besoi bankinën Steven Gerrardit, të cilit iu bashkuan lojtarët e njohur si Jordan Henderson, Moussa Dembélé e Jack Hendry.

Në fund, por jo nga rëndësia, gjendet Al Ittihad: trajnerit Nuno Espirito Santo iu bashkuan Karim Benzema, N’Golo Kanté, Fabinho e Jota.

Transferimet më të mëdha në Arabinë Saudite gjatë kësaj vere:

Edouard Mendy: 18.5 milionë euro (Chelsea/Al-Ahli)

Roberto Firmino: lojtar i lirë (Al-Ahli)

Karim Benzema: lojtar i lirë (Al Ittihad)

N’Golo Kante: lojtar i lirë (Al Ittihad)

Jota: 29.10 milionë euro (Celtic/Al Ittihad)

Marcelo Brozovic: 18 milionë euro (Inter/Al-Nassr)

Kalidou Koulibaly: 23 milionë euro (Chelsea/Al-Hilal)

Ruben Neves: 55 milionë euro (Wolverhampton/Al-Hilal)

Riyad Mahrez: 35 milionë euro (Manchester City/Al-Ahli)

Allan Saint-Maximin: 27,20 milionë euro (Newcastle/Al-Ahli)

Fabinho: 46,70 milionë euro (Liverpool/Al Ittihad)

Alex Telles: 7 milionë euro (Manchester United/Al-Nassr)

Seko Fofana: 25 milionë euro (Lens/Al-Nassr)

Sadio Mané: 30 milionë euro (Bayern Munich/Al-Nassr)

Sergej Milinkovic-Savic: 40 milionë euro (Lazio/Al-Hilal)

Malcom: 60 milionë euro (Zenit/Al-Hilal)

Moussa Dembélé: lojtar i lirë (Lyon/Al-Ettifaq)

Jack Hendry: 6,90 milionë euro (Club Bruges/Al-Ettifaq)

Jordan Henderson: 14 milionë euro (Liverpool/Al-Ettifaq)

Franck Kessié: 12,5 milionë euro (Barcelona/Al-Ahli)

Related Articles