15-vjetori i shpalljes së Pavarësisë, Kosovën e gjen ende me shumë punë të pa kryera. Edhe pas shumë këtyre viteve, sektori i shëndetësisë në vend vazhdon të mbetet një nga çështjet më shqetësuese.
Lidhur me këtë, çifti nga Gjilani, Ramize dhe Hajriz Ibrahimi, që aktualisht punojnë në Qendrat e Mjekësisë Familjare në Gjilan, flasin për gjendjen e shëndetësisë para dhe pas luftës në Kosovë.
Sipas tyre, shëndetësia ishte dukshëm më ndryshe se kjo e ditëve të sotme.
“Sektori i shëndetësisë së viteve 90-ta ka qenë më ndryshe se tani. Jemi mjekë që kemi punuar edhe në vitet e 90-ta për kohën të cilën mund të bëjmë edhe krahasim me ditët e sotme. Sot është gjithçka më ndryshe dhe më e lehtë”, ka thënë doktoresha Ramize Ahmeti-Ibrahimi, duke treguar se si ishte larguar nga puna, bashkëshorti i saj.
“Stuhia e largimeve veç se filloi me marr përmasa të mëdha, deri sa pushteti serbë, i arriti qëllimet e veta. Doktor Hajrizi në vitet para luftës, ka qenë mjek i përgjithshëm, i punësuar në sektorin publik. Ka qenë ndër mjekët e parë të KPSH-së që është larguar nën masat e dhunshme nga puna e mjekut. Ishte aq e rënd për të dhe për të gjithë familjen, por vullneti për punë nuk e la të dorëzohet asnjëherë” u shpreh ajo për Front Online.
Pas largimit për shkak të kushteve ekonomike, doktorët u detyruar të hapin një ordinancë private.
“Për shkak të kushteve ekonomike u detyruam që të fillojmë dhe të hapim ordinancën private. Ofruam shërbime mjekësore si kontrolla, shërbime të laboratorit dhe të aplikimit të terapisë e shumë të tjera”, ka rrëfyer për Front Online, Hajriz Ibrahimi.
Tutje ai ka theksuar se Ordinanca e tyre ishte e para në sektorin privat që u hap pas largimit te tij nga sistemi publik.
“Gjendja vinte duke u përkeqësuar dita ditës edhe më shumë, ishte ordinanca e parë pas largimit tim nga puna. Ramizja, fillimisht është kujdesur si infermiere për udhëheqjen e punës, ndërsa unë në statusin e vullnetarit, ku në atë kohë regjistrova studimet për specializim për Pediatri në Prishtinë”, ka thënë ai.
Mjekët rrëfejnë përndjekjet që iu bënë nga serbët, ja si arritën të shpëtojnë
Pavarësisht rrezikut nga regjimi serb, çifti Ibrahimi punësoi edhe shumë mjekë e infermierë tjerë që ishin larguar nga puna.
“Gjatë kësaj kohe në ordinancën tonë kanë ushtru pjesën praktike shumë mjekë dhe infermierë, por gjithmonë nën presionin e regjimit serbë, që kohë pas kohe kanë ardhur në vizitë, vetëm e vetëm për ta kuptuar se me kë po punojmë”, u shpreh Ibrahimi.
Sipas saj, qëllimi i tyre ishte vetëm t’i shqetësonte ata duke ju bërë presion vazhdimisht e duke i akuzuar se po punonin kundër pushtetit serbë.
“Kur takuan infermieren dhe mjekun në ordinancën tonë, inspeksioni serbë duke më shikuar në sy më thanë se po ushtronim irredentistë. Ishte mjaftë shqetësuese dhe e dhimbshme t`i prisnim në vizita të pa pritura. Nga atëherë kemi qenë në shënjestër të tyre”, ka thënë ajo për Front Online.
Doktoresha Ahmeti-Ibrahimi tregon momentin e trishtë kur u detyruan të largohen nga Kosova.
“Me fillimin e luftës u detyruam me tre fëmijët tonë të largohemi nga vendi, pasi që një ditë, gjatë kohës së drekës hynë paramilitarët serbë dhe na kërkuan mua dhe bashkëshortin tim. Ajo ditë ishte edhe me fat sepse arritëm të shpëtonim dhe të kursenim kohë për t`i ikur pushtuesit serbë. Jeta jonë ishte në rrezik, por ia dolëm” ka cituar ajo.
A kishte mungesë të barnave dhe si arrihej të siguroheshin ato para luftës?
Ibrahimi ka treguar se nuk ka qenë fare e lehtë në atë kohë për sigurimin e barnave, ndonëse nuk kishte mungesë të tyre.
“Sa i përket barnave nuk ka pas mungesë të madhe, mirëpo mënyra për sigurimin e tyre nuk ka qenë e lehtë. Ishte periudhë e rëndë për gjithë komunitetin. Jo të lirë dhe të sigurt në trajtim, gjithë kohën në rrezikshmëri gjatë kontrolleve mjekësore, pasi që për serbët, gjithçka që bënim ne ishte kundër tyre dhe jo e mirë”
Çfarë i mbajti të fortë që të mos heqin dorë nga ky profesion, pavarësisht rrezikut për jetë që kishin, çifti Ibrahimi shprehen shkurt “ Betimi I Hipokratit”.
“Po ishte rrezik, por megjithatë, ‘Betimi i Hipokratit’ na mbajti të fortë, për atë edhe sot jemi ku jemi. Pa marr parasysh stuhive të ndryshme të kohës dhe kërcënimeve është profesion që jemi betuar në të”, u shprehen tutje ata për Front Online.
“Një dritë në fund të tunelit”, kështu e vlerëson doktoresha Ibrahimi, fillimin e viteve 2000.
“Pas viteve 2000 një dritë në fund të tunelit u pa. Filluan ndryshimet, flitej, punonim dhe gjithçka frymonte shqip. Tani, sektori i shëndetësisë është në nivel të mirë , mirëpo ende duhet të punojmë, na duhet angazhim nga të gjithë, me një qëllim të vetëm, që të kemi një popullatë të shëndoshë”, theksoi ajo.
Çifti Ibrahimi për Front Online kanë treguar se festën e 17 shkurtit kanë vendosur ta kalojnë së bashku me familjen dhe kolegët e tyre.
“17 shkurtin planifikojmë që me kolegë ta festojmë së bashku e pastaj edhe me familje. Ne punojmë edhe gjatë festave, por kjo është edhe një nga kënaqësitë më të mëdha të këtij profesioni”, përfunduan ata.