Rrezikohen të zgjerohen listat e pritjes, anesteziologët po e lënë sektorin publik për atë privat

Rrezikohen të zgjerohen listat e pritjes, anesteziologët po e lënë sektorin publik për atë privat

Sektori publik shëndetësor po vazhdon të përballet me zvogëlim të stafit të anesteziologëve. Ky kuadër i mjekëve po largohen nga klinikat publike të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, për të vazhduar ushtrimin e profesionit në klinikat private.

Aktualisht në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës janë të angazhuar vetëm 47 anesteziologë, por kjo shifër po konsiderohet e ulët për të ofruar të gjitha nevojat që ka QKUK. Prandaj, deficiti në këtë lëmi mjekësore do të zgjerojë listat e pritjeve për pacientët që do të kenë nevojë për ndërhyrje kirurgjike.

Gazmend Spahija, drejtor i Klinikës së Anesteziologjisë dhe Mjekimit Intensiv Qendror, thekson për KosovaPress, se vetëm gjatë këtij viti, tetë anesteziologë kanë lënë punën në QKUK për të vazhduar të punojnë në sektorin privat.

Krahas specialistëve anesteziologë, Spahija thotë se po ikin edhe specializantët e fushës së anesteziologjisë që u angazhuan nga konkursi i fundit.

“Kemi numër të vogël prej vitit 2020 deri tani kemi largimin e 22 anesteziologëve duke llogaritur edhe ata të cilët kanë dal në pension dhe ata që kanë humbur jetën. Në vitin 2019, i kemi pas 64 anesteziologë edhe pse edhe atëherë kemi qenë me numër të vogël, por tash jemi më pak, tash vetëm këtë vit kemi 10 anesteziologë mungesë, 1 fatkeqësisht ka ndërruar jetë, një është pensionuar dhe 8 të tjerët e kanë lëshua klinikën… Specialistët anesteziologë, po flasim prej sektorit publik, ikin vetëm në sektorin privat. Specializantët ata dalin edhe jashtë Kosovës, kryesisht në Gjermani, por specialistët dalin kryesisht në sektorin privat për shkak se ka nevojë për këtë specializim”, theksoi Spahija për KosovaPress.

Anesteziologu Spahiu nuk e përjashton mundësinë që të vazhdojë trendi i ikjes së anesteziologëve nga sektori publik.

“Në konkursin e fundit janë pranuar 44 specializantë të anestezionit. Prej tyre katër nuk kanë ardhur fare, kurse prej 40-ve, 8 veç janë akomoduar jashtë Kosovës. Flitet që diku edhe 3 apo 4 specializantë të anestezionit janë në procedurë edhe pse zyrtarisht ende nuk kemi asgjë…11/04 Për momentin nuk kemi kërkesë zyrtare dhe pse ka kolegë që janë në mëdyshje se a të kalojë në sektorin privat apo jo, por zyrtarisht nuk kam kërkesë”, u shpreh Spahija.

E nevojat e më shumë se 40 njësive në QKUK po mundohen t’i kryejnë 47 anesteziologë. Por sipas drejtor i Klinikës së Anesteziologjisë dhe Mjekimit Intensiv Qendror, ky numër i mjekëve anesteziologë është i pamjaftueshëm, prandaj edhe paralajmëron shtim të radhëve të pacientëve që do të presin për t’u operuar në klinikat e QKUK.

Por, Spahija konsideron se ikja e anesteziologëve nga sektori publik mund të ndalet vetëm duke rritur pagat përmes ndonjë shtese të këtyre profesionistëve shëndetësor.

Ai u shpreh se krahas Qendrës Klinike Universitare të Kosovës edhe spitalet regjionale në Kosovë po vuajnë për mungesë të kuadrit anesteziologjik.

Related Articles