Vala e re e rritjes së çmimeve në tregun global ka goditur edhe Kosovën. Këto rritje të çmimeve po konsiderohen të papërballueshme për qytetarët e Kosovës, shkruan Gazeta Enigma.
Rusia është një prej prodhueseve më të mëdha të energjisë dhe gazit në botë. Kurse shpërthimi i luftës në Ukrainë ka çrregulluar tregjet e naftës dhe gazit në tërë globin.
Rritja e çmimit e këtyre dy produkteve ka rritur edhe çmimet e produkteve tjera, pasi në Kosovë sasia më e madhe e mallrave importohen nga shtetet e Bashkimit Evropian dhe ato të rajonit.
Për shkak të kësaj krize ekonomike që po e përjeton Kosova, ekonomisti Mustafë Kadrijaj nuk shprehet optimist se mund të ketë ulje të çmimeve.
Ai për Gazetën Enigma tha se mbi bazën ekonomike që kur të ketë rritje të çmimeve, në asnjë rast nuk bien.
“Nëse bien këto çmime të momentit, nuk besoj që do t’i arsyetojnë rritjen e çmimeve të vjeshtës së vitit të kaluar dhe si pasojë e kësaj qytetari nuk do të kërkoje të ulen çmimet e asaj kohe, por do të jetë i kënaqur me uljen e çmimit që kanë qenë para një jave”, ka thënë ai.
Ndërsa, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti kërkoi që qeveria të tregohet e sinqertë dhe poashtu të tregoj gjendjen reale të situatës globale që është krijuar.
“Nuk e kemi ne buxhetin e Zvicres e as të Gjermanisë dhe të vendeve evropiane, dhe fuqia e qeverisë për t’i rimbursuar çmimet është e vogël dhe kam frikë që duke mos qenë të gatshëm për rimbursimin e këtyre çmimeve, atëherë tregu do të ngec në furnizime. Prandaj, është një problem i madh për të gjitha vendet e Ballkanit dhe evropiane”, tha ai.
Ai për Gazetën Enigma tha se Kosova ka varësi të madhe nga derivatet që blehen nga Rusia dhe deponohen pastaj në derivatet e Shqipërisë, Maqedonisë dhe Serbisë.
Sipas tij, çështja tjetër është se Ballkani në përgjithësi furnizohet me drithëra, duke përfshirë grurin që është ushqimi më kryesor.
“Rusia e ka mbyllur tregun për ata që i kanë vendosur sanksione dhe në këto rrethana edhe tregtarët kanë dëshirë me i rritë çmimet dhe të kenë përfitime më të mëdha”, tha Haliti.
Ndër të tjera, Haliti theksoi se sipas tij do të ketë rritje edhe më të madhe të çmimeve.
“Do të rriten edhe çmimet dhe do të ketë edhe mungesë të produkteve të nevojshme që përdoren nga konsumatorët”, potencoi ai.
Propozimet e mundshme për qeverinë që të dalë nga kjo krizë që ka kapluar Kosovën?
Kadrijaj tha se e vetmja mundësi për të dalë nga kjo krizë është që qeveria duhet të veprojë në parandalimin e rritjes së çmimeve përmes pakos fiskale, doganës ose ATK-së.
“E vetmja mundësi tani është se Qeveria përmes pakos fiskale t’iu ndihmojë bizneseve, duke i ulur tatimet dhe aksizat në doganë përmes ATK-së, e cila është e vetmja zgjidhje dhe mund të reflektojë në uljen e çmimeve, përndryshe bizneset do ta përcjellin trendin global të rritjes së çmimeve”.
“Tjetra është se qëllimi i bizneseve është përfitimi kështu që në këtë drejtim qeveria duhet të jetë shumë e sinqertë për faktin se është rrezik më i madh që mundet të vijë deri të një revoltë popullore, sepse është e pamundur të përballohen këto çmime kur çdo ditë kemi rritje të çmimit”.
Edhe shefi i Grupit Parlamentar nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri tha sot se situata është e jashtëzakonshme, përderisa sipas tij qeveria këtë situatë po e trajton si të zakonshme.
Në emër të AAK-së, ai i ka propozuar Qeverisë së Kosovës pesë pika, që do të ndikonin në lehtësimin e jetës së qytetarëve të Kosovës në këtë kohë.
“Kërkojmë që derisa të aprovohet ligji i pagave secilit zyrtar publik me vendim të qeverisë t`i ndahen nga 100 euro shtesë. Largimin e akcizës, përkohësisht për derivate Kërkojmë që të ketë subvencionime shtesë nga Ministria e Bujqësisë për ata që sigurojnë grurin e miellin, përmes riorganizimit të buxhetit të Ministrisë së Bujqësisë Të rritet paga minimale në Kosovë, vendim për pagën menjëherë Tashmë këtë e kemi në procedurë për Kushtetuese, tarifat e reja të energjisë, të ketë veprime urgjente”.
Si pasojë e rritjeve të çmimeve, qeveria e Kosovës ka paraparë që t’i ndajë 50 milionë euro për subvencione në bujqësi këtë vit.
Në një konferencë për media, Kurti tha se sivjet nuk do të ketë vonesa në ndarjen e subvencioneve.
“Vitin e kaluar e patëm bërë të ditur se thirrjet për aplikime për subvencione për këtë vit do të hapen në çerekun e parë të vitit dhe atë po e bëjmë. Programet e subvencionimit do të bëhen në këtë muaj, pra në muajin mars. Nuk do të kemi vonesa por vendosjen rekorde të programeve mbështetëse për bujqit. Investimet dhe përkrahja në këtë sektor kërkojnë vëmendje dhe planifikim ashtu që të kemi zbatimin e duhur”, tha ai.
Ky vendim sipas Kurtit do të ulë varësinë ndaj importit të prodhimeve agro-ushqimore.
“Tek ne prodhimi i ulët vendor, varësia e plotë ndaj importit dhe si importues neto të prodhimeve agro ushqimore ka bërë që të goditemi të parët nga krizat ma të vogla. Nafta paraqet një ndër shpenzimet kryesore operative përmes fermerëve. Deri këtë vit përkundër premtimeve që janë dhënë asnjë qeveri nuk i ka përkrahur bujqit në këtë drejtim “, tha kryeministri.
LEXO EDHE: Pas rritjes së çmimeve: Qeveria e Kosovës ndan 50 milionë subvencione për bujqësi
Ndryshe, rritja e çmimit të naftës ka ndikuar që disa kompani t’i rrisin edhe çmimet e biletave të autobusëve.
LEXO EDHE: Pas rritjes së çmimit të naftës, disa kompani i shtrenjtojnë biletat e autobusëve
Vlen të theksohet se është raportuar se për shkak të rritjes së çmimit të naftës do të ketë edhe bllokadë të furnizimit, mirëpo ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari gjatë një konference për medie ka thënë se nuk do të ndodhë një gjë e tillë.
Hajdari gjithashtu ka theksuar se së bashku me Autoritetin e Konkurrencës janë duke i identifikuar marrëveshjet e tregtarëve, për manipulime të mundshme me produkte në treg.
“Ne nuk mund t’i kontrollojmë çmimet, por mund të marrim masa. Ne kemi marr masa të ndryshme, duke filluar nga nafta. Mund të këtë edhe devijime të çmimit në treg, ku tregtohen furnizohen ndoshta dje në Durrës, kurse sot caktojnë çmimin sipas bursës”, tha Hajdari. /Gazeta Enigma/