Rritja e rasteve me COVID-19 ka ndikuar në rritjen e kërkesave për vaksinim

Rritja e rasteve me COVID-19 ka ndikuar në rritjen e kërkesave për vaksinim

Pas kërkesave të mëdha për tu mbrojtur nga COVID-19, shtohen mundësitë për t’u vaksinuar për ata që dëshirojnë imunitet më të fort në luftën kundër coronavirusit, shkruan Gazeta ‘Enigma’.

Drejtoria e Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës në koordinim me Komitetin për Vaksinim dhe Sekretarin e Përgjithshëm në Ministrinë e Shëndetësisë, ka marr vendim që të zgjatet orari i vaksinimit me vaksina kundër COVID-19.

“Kujdesi Parësor Shëndetësor- Drejtoria e Shëndetësisë-Komuna e Prishtinës në koordinim me Komitetin për Vaksinim dhe Sekretarin e Përgjithshëm në MSH kemi vendosur që duke filluar nga dita e mërkurë me dt. 12.01.2022 të zgjasim orarin e vaksinimit në QMF Vll në Kalabri si vijon: E hënë – e premte nga ora 07:00-19:00 dhe e shtunë e diele nga 07:00-15:00”, thuhet në një njoftim të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare.

Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Prishtinë falënderon qytetarët për shtim të interesimit për vaksinim kundër coronavirusit.

Ndërsa, infektologu, Xhevat Demiri, në një përgjigje për Gazetën ‘Enigma’ ka theksuar se shtimi i rasteve pozitive ka ndikuar në shtimin e interesimit për vaksinim.

“Po sigurisht shtimi i numrit të rasteve me virus i ka shqetësuar qytetarët, andaj edhe interesimi është i shtuar, interesimi është i shtuar edhe për marrjen e vaksinës përforcuese, çka është një e mirë dhe një gjë pozitive për shtetin”, ka deklaruar Demiri.

Infektologu, Xhevat Demiri

Këto janë masat mbrojtëse sipas infektologut, Xhevat Demiri

“Mënyra më e mirë është që të mos grumbullohemi me të madhe sidomos në restorante, kafiteri, në dasma dhe në rastet e vdekjeve, gjendja në regjion është shqetësuese sidomos ne Greqi e gjetiu andaj kujdesi të jetë në maksimum”, ka thënë ai.

“Meqenëse kemi raste të shtuara në regjion, presim që edhe Kosova nuk do të kursehet nga virusi”, ka theksuar Demiri.

Ndryshe, gjatë 24 orëve të fundit janë dhënë 904 doza të vaksinës kundër COVID-19. Prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 1.693.666 doza të vaksinës.

Deri më tani 790.175 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë./Gazeta Enigma/

Related Articles