Rrugë optimiste e Kosovës në dialogun e udhëhequr nga Sorensen – Kërkohet çasje e re

Rrugë optimiste e Kosovës në dialogun e udhëhequr nga Sorensen – Kërkohet çasje e re

Peter Sorensen që nga 1 shkurti do të jetë përfaqësuesi i posaçëm i bllokut për dialogun për normalizim të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, shkruan “Gazeta Enima”.

Lajçaku brenda kësaj jave ka zhvilluar takimin e pranim-dorëzimit me Sorensen i cili fillon detyrën me 1 shkurt, duke zëvendësuar kështu politikanin sllovak, Miroslav Lajçak, i cili shërbeu në këtë post për pesë vjet me radhë.

Por kush është Sorensen?

Sorensen ka përvojë të gjatë diplomatike në strukturat e BE-së. Ai aktualisht është Këshilltar i lartë në Shërbimin e Veprimit të jashtëm të BE-së (EEAS) për diplomaci digjitale.

Gjatë karrierës së tij diplomatike në BE, Sorensen ka ushtruar disa detyra në Ballkanin Perëndimor. Ka shërbyer si përfaqësues i posaçëm i BE-së për Bosnje e Hercegovinë dhe shef i zyrës së BE-së në Sarajevë. Po ashtu ka qenë edhe shef i delegacionit të bllokut evropian në Shkup.

Më herët, Sorensen ka punuar si këshilltar edhe në Kosovë në misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), ndërsa ka qenë edhe përfaqësues i posaçëm i përfaqësuesit të lartë të BE-së në Serbi.

Në Ballkan, ai ka punuar edhe në misionin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kroaci.

Përvoja e tij nga rajoni thuhet se ka qenë edhe një prej argumenteve se pse Kaja Kallas ka vendosur që ai të jetë pasardhësi i Lajçakut.

Për postin e lehtësuesit të dialogut garoi edhe emri i ish-ministri i Jashtëm i Finlandës, Pekka Haavisto, i cili po ashtu ka njohuri për zhvillimet në Ballkanin Perëndimor.

Për këtë rol, ishte përmendur edhe emri i ish-presidentit dhe ish-kryeministrit të Sllovenisë, Borut Pahor. Vitin e kaluar, ai pranoi se ishte i interesuar për këtë post. Por, gjatë janarit të këtij viti tha se nuk do të garonte për këtë post, pasi ka kuptuar se kërkohet më shumë një nivel diplomatik sesa politik.

“Ecuria e dialogut Kosovë-Serbi mund të marrë kahje më të mirë pas largimit të Lajçakut”

Jeton Halimi, Drejtor Ekzekutiv i Institutit për Studime Evropiane dhe Global në një përgjigje për Gazetën “Enigma” ka deklaruar se kahja e dialogut pas largimit të Lajçakut mund të jetë shumë më e mirë se ajo që ka qenë deri më tani.

“Ecuria e dialogut pas largimit të Lajcakut kahjen mundet me marr shumë ma të mirë se ajo që ka qenë nën udhëheqjen e Lajçakut, ishte shumë indiferent ndaj çështjeve kur takoheshin në Bruksel delegacionet e Kosovës dhe Serbisë, ju jepte përparësi gjithmonë temave kur kishin të bëjnë në të mirë Serbisë e kanë dëmtuar shumë reputacionin e Kosovës këto kanë qen faktorët e tyre”, tha Halimi për “Enigmën”.

Tutje ai ka shtuar se “sfidat dhe mundësitë për procesin e dialogut Kosovë-Serbi pas përfundimit të mandatit të Miroslav Lajcakut, kanë qenë mos zbatimi i marrëveshjeve nga dy shtetet në bisedime edhe Kosova po ashtu edhe Serbia nuk janë të sinqerta sa i përket bisedimeve dhe presioni ka qenë shumë i vogël për palët në bisedime nga BE-ja dhe vetë përfaqësuesi i tyre Lajçaku”.

Tutje Halimi ka theksuar se “shpreson shumë që pasardhësi i Lajçakut nuk do të iu len hapësirë shumë të madhe për kalkulime politike për interesat e tyre etj presioni shumë i madhe duhet me ju bë bashkërisht me SHBAT, të mbyllet çështja e Ballkanit Perëndimor”.

Në lidhje me këtë çështje Gazeta “Enigma” ka kontaktuar edhe me analistin politik, Blerim Burjanin, i cili ka theksuar se kërkohet qasje e re në dialogun Kosovë-Serbi.

“Kërkohet qasje e re në dialog, plan i thjesht i realizueshëm, pra thjeshtësim i mëtejshëm deri te përmbyllja e këtij dialogu, unë jam optimist që kahja do të jetë përfundimtare dhe nuk do të ketë më dialog të mërzitur pa ndonjë rezultat, pra marrëveshja është aktuale, ajo mund të ripërtërihet, mund të ndryshohet, dhe në përgjithësi të mos pësoj ndryshime substanciale”, deklaroi ai.

Burjani tutje ka shtuar se “Lajcak dhe të tjerët janë hasë në shumë probleme të cilat u komplikuan se nuk ka pasur menaxhim efektivë në start të eskalimit ata pastaj vendosën masat për Kosovën, nuk duhej menaxhuar me masa por me zgjidhje. Kurti njëanshëm kishte zbatuar shumë marrëveshje, përderisa Serbia e involvuar në politikën kosovare ka sjellur destabilizim”.

“Zgjidhja është në dokumentet aktuale në fuqi, mund të përmirësohet diçka, të modifikohet dhe ti jepet fund”, tha Burjani për “Enigmën”.

Kujtojmë se gjatë mandatit gati pesëvjeçar të Lajçakut, Kosova dhe Serbia kanë arritur Marrëveshjen në rrugën drejt normalizimit të raporteve.

Marrëveshja, e cila nuk është nënshkruar, është ligjërisht e obligueshme për palët ka thënë blloku. BE-ja ka akuzuar Kosovën dhe Serbinë për mos nisjen e zbatimit të paktit, duke thënë se kjo do të ndikojë në rrugëtimin e dy shteteve drejt integrimeve evropiane.

Dialogu për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, ka nisur më 2011. Gjatë procesit janë arritur disa marrëveshje, por pak prej tyre janë zbatuar në terren. /Gazeta Enigma/

Related Articles