Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka reaguar pas publikimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për progres ekonomik.
Rukiqi, i ka cilësuar të dhënat e qeverisë si të pasakta dhe intepretim tendencioz.
Postimi i Rukiqit ngjalli reagime nga njohës të ekonomisë.
Deputeti i Vetëvendosjes Armend Muja, nuk është pajtuar me postimin e Rukiqit, duke ia përcjell edhe një grafikë në koment. Sipas Mujës, qarkullimi i bizneseve nuk është rritur për shkak të inflacionit.
“Qarkullimi i bizneseve është rritur për shkak të inflacionit? Kjo nuk qëndron (nuk ka ndërlidhje shiko në grafik). Janë shpjegues tjerë që korrelojnë me rritjen e qarkullimit: (1) rritja reale e konsumit, (2) rritja e investimeve, (3) rritja e eksporteve të shërbimeve/mallrave dhe (4) rritja e IHD. Kosova ka një gamë më të zgjeruar të produkteve të eksportuara dhe nuk duhet të thjeshtëzoni për të promovuar pasaktësinë e mitit të eksportit të dyshekëve – kjo nuk qëndron”, ka shkruar Muja.
Zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala, ka thënë se nëse qarkullimi i marketeve rritet për shkak të inflacionit, atëherë medoemos ose duhet të jetë rritur edhe fuqia blerëse osë është orientuar shpenzimi nga mbijetesa dhe bizneset e tjera kanë rënie, aq sa marketet kanë rritje.
“Berat nëse qarkullimi i marketeve rritet për shkak të inflacionit, atëherë medoemos ose duhet të jetë rritur edhe fuqia blerëse ose është orientuar shpenzimi nga mbijetesa dhe bizneset tjera kanë rënie, aq sa kanë marketet rritje. E nëse është rritur fuqia blerëse, atëherë ka edhe rritje ekonomike, për çka pajtohem që nuk është rritje reale për shkak të inflacionit”, ka shkruar Buzhala.
Ndërkaq Sefer Zogaj, pronar i Insititutit për Kërkime Ekonimike, ka mbështetur mendimin e Rukiqit se inflacioni ka ndikuar në rritje nomimale ekonomike. Mirëpo, nuk u pajtua me atë që Rukiqi tha se ka inflacion, por jo performancë ekonomike.
“Teza që inflacioni ka ndikuar në rritjen nominale ekonomike, qëndron – pra janë të dhëna nominale. Por çka nuk shkon është ajo që në pikën 1, thoni që “ka inflacion, po nuk ka performancë ekonomike”, ndërkaq në pikën 3 thoni se ka “performancë biznesore”. Kur e përmendni, “performancën biznesore”, besoj aludoni te profiti jo te të hyrat. Rrjedhimisht performanca ekonomike dhe ajo biznesore nuk mund të kenë një diskrepancë të tillë”, ka shkruar Zogaj.
Ai tha se nuk ka pasur as performancë biznesore, por kosto shtesë biznesore që kanë rezultuar me shumë të hyra, por që me to është dashur ta mbulojnë koston për lëndën e parë ose shitjes me shumicë.