Rusët prej javësh në Shqipëri me pajisje spiunazhi

Rusët prej javësh në Shqipëri me pajisje spiunazhi

Një ngjarje e rëndë e ndodhur në Uzinën Ushtarake Çekin në Gramsh, është zbardhur nga Policia e Shtetit, ku janë bërë me dije detajet e plota si edhe mënyra se si u plagosën dy ushtarë shqiptarë, por të cilët arritën ta ndalonin mësymësin në Uzinë, shkruan AP.

Në njoftimin zyrtar nga Policia e Shtetit, bëhet me dije se ka pasur një njoftim, se në afërsi të rrethimit të uzinës është konstatuar një shtetas i paidentifikuar me aparat fotografik në dorë, i cili ka tentuar të fotografojë ambientet e zonës ushtarake.

Në këtë çast, dy ushtarakë, të cilët ruanin objektin, e kanë pikasur dhe i janë afruar personit për ta ndaluar.

Ky i fundit, është kundërpërgjigjur nëpërmjet një spraj neuroparalizues, duke i kapur ushtarët në befasi.

Pavarësisht këtij fakti, ata kanë arritur ta neutralizojnë shtetasin Mikhail Zori, 24 vjeç, i cili më vonë është identifikuar si qytetar rus dhe është dërguar menjëherë në ambientet e Komisariatit të Policisë Gramsh.

Në çantën e tij, është gjetur një pajisje spiunazhi, në çipat e të cilës janë zbuluar fotografi të Uzinës, të kryera në dy ditët e fundit.

Po ashtu, një njoftim në rrugë operacionale ka ardhur në strukturat e Policisë, duke bërë me dije se shtetasi rus, ishte i shoqëruar nga dy të tjerë.

Policia ka ngritur menjëherë pika kontrolli dhe ka bërë krehjen e zonës.

Disa minuta më vonë, është bërë e mundur kapja e dy personave të tjerë, të cilët gjendeshin në një automjet të tipit “Chevrolet”.

Një shtetase ruse, Svetlana Timofoeva, 33 vjeç dhe një shtetas ukrainas, F.A., 25 vjeç, janë shoqëruar në komisariat për veprime të mëtejshme.

Të tre personat, kanë deklaruar se janë turistë në Shqipëri, por aparatura e gjetur, nuk e justifikon aspak alibinë e tyre.

Grupi hetimor është duke punuar për zbardhjen e plotë të arsyeve pse këta tre të huaj ndodheshin në Uzinën Ushtarake të Gramshit.

Për këtë ngjarja janë angazhuar Departamenti i Policisë Kriminale dhe Drejtoria e Antiterrorit në Policinë e Shtetit  dhe po koordinohen veprimet me Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.

Dy ushtarakët shqiptarë nga ana tjetër, kanë marrë ndihmën e duhur mjekësore dhe ndodhen jashtë rreziku për jetën.

Related Articles