Vladimir Putin po e bën atë që ka paralajmëruar muajve dhe javëve të fundit Perëndimi. Në orët e hershme të mëngjesit të së enjtes filloi invazionin me trupat ruse dhe hodhi raketa në territorin e vendit fqinj Ukrainës, duke e nisur kështu një luftë të re në Europë, pasojat e së cilës janë të paparashikueshme.
Nga Ukraina u raportua se për disa orë luftë, mbetën të vrarë qindra ushtarë. Perëndimi e dënoi ashpër këtë akt agresioni dhe paralajmëroi se Moska do të paguaj shtrenjtë.
Me veprimet e diktatorit rus bota po i sheh edhe një herë skenat e tmerrshme – kolonat e refugjatëve që po largohen nga vendet dhe qytetet e tyre nga frika. Si do ta ndalë bota Putinin?
Presidenti rus Vladimir Putin në orët e para të mëngjesit urdhëroi nisjen e operacionit ushtarak në Ukrainë.
Raportimet e para të mediave botërore njoftojnë për qindra persona të vrarë. Ndërsa në adresimin e tij Putin tha se Rusia nuk ka qëllim të pushtojë Ukrainën, dhe se përgjegjësia, nëse do të ketë gjakderdhje, i takon “regjimit ukrainas”.
Fuqitë botërore kanë dënuar veprimin e Rusisë ndaj Ukrainës dhe kanë kërkuar që Putin ta ndalojë sulmin menjeherë. Krah Rusisë u rreshtua aleati i saj, Bellorusia. Nga Ukraina vijnë pamje të trishtueshme të refugjatëve të pare.
Sulmi, që si cak kishte fillimisht bazat ushtarake, ka lënë pasoja të mëdha në orët e para të mëngjesit. I menjëhershëm ka qenë reagimi i presidentit të Ukrainës Volodymyr Zelensky, i cili u bëri thirrje njerëzve të qëndrojnë të qetë anipse njoftoi se në shumë qytete të Ukrainës u dëgjuan shpërthim.