Komisioni Qendror i Zgjedhje është gati për të organizuar zgjedhjet lokale që do të mbahen në vjeshtën e këtij viti. Organizimi i tyre pritet t’i kushtojë buxhetit të shtetit rreth 7.5 milionë euro, ku në këtë shumë është përfshirë edhe balotazhi në të gjitha komunat e vendit.
Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, thotë për KosovaPress, se meqë zgjedhjet lokale janë të rregullta, përgatitjet për organizimin e tyre kanë filluar qysh në fillim të këtij viti.
Duke qenë se ende nuk është caktuar data se kur do të mbahen zgjedhjet, Daka thotë se sa më shumë që iu lihet kohë në dispozicion, do të kenë mundësi që t’i zhvillojnë të gjitha procedurat brenda afateve ligjore.
“Meqenëse këto zgjedhje lokale janë të rregullta, zgjedhje të cilat parashihen me Kushtetutë çdo katër vite dhe ne që në fillim të vitit e kemi ditur se do të kemi zgjedhje lokale, kemi filluar përgatitjet aq sa na kanë lejuar koha, duke marrë parasysh se në fillim të këtij viti kemi pasur edhe zgjedhjet parlamentare…Natyrisht sa më shumë kohë të na lihet në dispozicion, KQZ do të ketë mundësi që t’i zhvillojë të gjitha procedurat dhe t’i arrijë të gjitha afatet ligjore ashtu siç parashihet. Natyrisht që zgjedhjet e kaluara janë mbajtur në tetor, nëse më kujtohet më 22 tetor të vitit 2017, kështu që aty diku tetori është afati kushtetues kur zgjedhjet duhet të mbahen”, thotë ajo.
Daka deklaron se si institucion kanë bërë një projeksion të buxhetit se sa do të kushtojë organizimi i zgjedhjeve lokale, e që thotë se pritet të jetë shuma rreth 7.5 milionë euro.
Në këtë buxhet është paraparë edhe organizimi i balotazhit dhe pajisja me mjete mbrojtëse kundër COVID-19.
“Ne kemi bërë një projeksion të buxhetit, pra të them ashtu një llogaritje të përafërt se sa mund të kushtojnë për dy raunde, sepse këto zgjedhje dihet se mund të kenë dy raunde dhe ne gjithmonë planifikojmë që dy raunde të ndodhin në të gjitha komunat. Llogaria jonë është diku rreth 7.5 milionë euro do të mund të kushtonin, që nuk do të thotë se do të jetë ajo shumë, e gjitha varet nga ajo se sa raunde do t’i kemi në sa komuna dhe nga ajo se sa material zgjedhor na nevojitet…Po natyrisht, ashtu sikur edhe në zgjedhjet e kaluara edhe këtë radhë ne kemi llogaritur se duhet të kemi dezinfektues , maska, doreza, të gjitha këto të cilat parashihen me udhëzuesin nga IKSHPK”, thotë Daka.
Daka në një intervistë për KosovaPress, thotë se për institucionin që ajo e udhëheq nuk do të jetë sfidues organizimi i balotazhi, pasi një gjë të tillë thotë se e kanë organizuar me sukses edhe herëve të tjera.
Organizimi i zgjedhjeve në kohë pandemie, e para e KQZ-së thotë se nuk do të jetë problematike për ta, pasi që tashmë kanë arritur të organizojnë dy palë zgjedhje në pandemi.
“Po ne tash e kemi një përvojë, kemi arritur të organizojmë zgjedhje parlamentare në rrethana të pandemisë për një afat shumë të shkurtë dhe besoj që edhe këto zgjedhje nuk do të kemi probleme. Aq më tepër që tani më numri i rasteve është në zbritje e sipër”, thekson ajo.
Problematikat që janë shfaqur në vazhdimësi në proceset zgjedhore, përfshirë edhe ato të zgjedhjeve të jashtëzakonshme të mbajtura në fillim të këtij viti, Daka thotë se do të mund të adresohen përmes reformës zgjedhore.
“Reforma zgjedhore është dashur të përfundojë qysh moti, pra ka vite e vite që edhe unë edhe rekomandimet e BE-së edhe të gjithë ata të cilët janë njohës të zgjedhjeve kërkojnë që të ndodh një reformë e tillë, por kemi hasur në vesh të shurdhër nga ana e subjekteve politike apo Parlamentit më shkurt. Besoj që pas këtyre zgjedhjeve me siguri që do të ketë mirëkuptim edhe do të fillojë një reformë e cila ka kohë, ka vite që është dashur të përfundojë”, thotë ajo.
Për një kohë të gjatë mbledhjet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve po zhvillohen mes akuzave të shumta nga anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje drejtuar kryetares së këtij institucioni, Valdete Daka.
Daka që udhëheq me KQZ-në tashmë 11 vite, thotë se nuk do t’i dorëzohet presionit të anëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ.
“Në fakt ata kanë problem me mua, jo unë me ata…Jo, sepse konsideroj që unë vetëm jam duke e kryer punën time ashtu siç kërkon Kushtetuta dhe ligji për zgjedhje dhe natyrisht që po të kishte ndonjë shkelje eventuale nga unë me siguri që të gjithë do të reagonin, e jo vetëm një subjekt i caktuar”, thotë ajo.
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani më 2 qershor ka takuar krerët e partive politike për t’u konsultuar për datën e mbajtjes së zgjedhjeve lokale, por që deri më tani ende nuk ka bërë të ditur se kur ato do të mbahen.