Siguria e ujit që buron nga ujësjellësi në Kosovë është bërë temë diskutimi, veçmas në ditët e fundit, pas rastit të mijëra qytetarëve të helmuar në komunën e Deçanit, shkruan Gazeta Enigma.
Nga KRU “Prishtina” në një prononcim për Gazetën “Enigma” kanë konstatuar se uji është i sigurt për pije në zonën e tyre të shërbimit.
“Uji nga KRU ”Prishtina” sh.a. është i pijshëm dhe i sigurt për pije (në zonën tone të shërbimit) . Pastrimi i ujit bëhet sipas standardit për përgatitje të ujit për pije duke iu nënshtruar proceseve teknologjike si : paraoksidimi, ajrimi, koagulimi , flokulimi , filtrimi dhe në fund dezinfektimi” , ka thënë Mjeku.
Tutje ajo ka shpjeguar mekanizmat nëpër të cilët kalon uji që shpërndahet për pije.
“Uji para se të distribuohet në rrejtën shpërndarës merret mostra për analizë për të parë se a është kryer proces teknologjik në plotni dhe se a janë parametrat e ujit brenda standardeve për ujë të pijshëm, nëse jo merren masa shtesë për të përmirësuar kualitetin e ujit para se të përdoret për konsum”, theksoi ajo.
Nga KRU “Prishtina” kanë pohuar po ashtu se sasia e klorit e përdorur si dezinfektant nuk është e dëmshme aspak sepse është sasi që lejohet për konsum njerëzor.
Mjeku ka potencuar se uji është i pijshëm monitorohet edhe nga IKSHPK.
“Pra, uji i ujësjellësit të Prishtinës është i sigurt për pije dhe monitorohet vazhdimisht nga laboratori i akredituar i KRU” Prishtina” sh.a. dhe njëkohësisht edhe nga IKSHPK”, deklaroi Mjeku.
Mirëpo, ndryshe vlerëson njohësit i sigurisë, Drizan Shala.
Ai për Gazetën “Enigma”, ka thënë se uji nuk është i sigurt për pije dhe kjo vërtetohet më së miri në rastin e Deçanit.
“Sa i përket sigurisë së impianteve të ujit mund të themi që rasti i Deçanit na tregojë që duhet të jemi vigjilent dhe kështu mos të cenohet siguria e gjithë qytetarëve të vendit”, ka thënë Shala.
Shala njëherit ka shtuar se duhet të investohet në sistemin e ujësjellësit që të mos përsëriten raste të tilla edhe në komunat tjera.
“Pra është imidiate që të hartohet një raport mbi gjendjen reale ku duhet të investohet në sistemin e ujit të pijes dhe mos t’i lihet as një mundësie të manipulimit”, deklaroi njohësi i sigurisë, Shala.
Për helmimin në Deçan dhe sigurinë e ujit ka folur edhe Valdete Shurdhani Kadriu, Specialiste e toksikologjisë. Ajo ka treguar mekanizmat që duhet t’i ndërmarrë ekzerkutivi kosovar, për të mos u përsëritur situata të tilla të helmimit.
“Meqenëse analizat fiziko-kimike dhe mikrobiologjike nga IKSHPK rezultojnë në kufijtë e lejuar në bazë të parametrave të përcaktuar, atëherë analizat do të bëhen jashtë shtetit, thotë Ministri i Shëndetësisë sepse nuk bëhen në Kosovë por nuk e cekë që ka të bëjë me analiza toksikologjike”.
Sipas saj raste të tilla dëshmojnë se duhet me urgjencë të reagoj MSH-ja, dhe të formohet Shërbimi Toksikologjik në Kosovë.
“Analizat e llojit të tillë nuk bëhen në Kosovë sepse ne toksikologët nuk kemi ku t’i bëjmë analizat pa laborator toksikologjik prandaj duhet dërguar jashtë shtetit. MSh na shkolloi për të na ruajtur suvenir, një profil deficitar dhe shumë i domosdoshëm dhe sa herë kërkuam një gjë të tillë hasëm në vesh të shurdhër ngase nuk jemi të nevojshëm specialistat e toksikologjisë. Ministria e Shëndetësisë me urgjencë duhet të formon Shërbimin Toksikologjik në Kosovë siç e ka e gjithë rajoni e bota e jo tani me doemos duhet dërguar jashtë ngase kërkohen rezultate për mjekim”, ka deklaruar ajo.
Tutje ajo ka pyetur se “deri kur na duhet neve që me na vdekë pacientët e me ndodhë diçka e madhe për me krijua kushte pune e me u vetëdijesua”.
Ndërkaq, kujtojmë se Qeverisë së Kosovës, dhe organeve kompetente, iu deshën më shumë se dy ditë për të vërtetuar origjinën e helmimit të ujit në Deçan.
Sipas testimeve të fundit të bëra nga Instituti i Shëndetit Publik doli që një pjesë e ujit të pijes nga ujësjellësi “Hidrodrini” është i kontaminuar me baktere ./Gazeta Enigma.