“Sa po i doni…”/ Lëshuan muzikën në ‘kupë të qiellit’, prishtinasja tenton t’i korruptojë policët që i gjobitën

Prishja e rendit dhe qetësisë publikë është një nga problematikat me të cilat përballen banorët në Prishtinë, ku Policisë i del pothuajse më së shumti punë. Jo rrallëherë, të rinjtë gjobiten për të tilla raste, duke u futur kështu në telashe. Një rast i tillë ka ndodhur së fundmi në rrugën “Ahmet Krasniqi”, ku dikush tentoi t’i korruptojë policët.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se rasti ka ndodhur pak pas mesnatës, kur një njësi policore ka ndaluar një veturë, në të cilën ishte lëshuar muzike më ton të lartë.

Sinjali mëson se në veturë ndodheshin disa persona, të cilët janë verifikuar nga zyrtarët policorë, të cilët më pas kanë vendosur t’iu shqiptojnë gjobë për kundërvajtje, në bazë të ligjit për rendin dhe qetësinë publike.

Por, tiketa e shqiptuar duket se e mllefosi njërën nga pasagjeret që ndodhej në veturë, e cila më pas tentoi t’iu jap ryshfet policëve, që të shpëtojnë nga gjoba.

Ndonëse tentoi të ‘kryejë punë’ duke iu thënë policëve “Sa po i doni…”, ajo vetëm u fut në sherr, pasi Policia vendosi që ta shoqërojë në stacion policor, thonë të njëjtat burime.

E njëjta është intervistuar nga hetuesit policorë lidhur me rastin për të cilin dyshohet, me ç’rast ka dhënë edhe deklaratën e saj.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit dhe nisjen e hetimeve ndaj të dyshuarës.

Related Articles