Zëvëndëskryesuesi i Kuvendit Komunal të Mitrovicës, Skënder Sadiku, në “Info Magazinë” ka folur në lidhje me atë se a do të mund të ketë zgjedhje pa Listën Serbe.
Ai u shpreh se vazhdimisht kanë bërë thirrje për qetësim dhe për pjesëmarrje në zgjedhje.
“Demokracia maksimunim e arrin me zgjedhje, realisht ne atë pjesë si qytetarë e kemi kryer nga fillimi, edhe para kësaj here, ne si iniciativë qytetare kemi thirrur në qetësim, kemi thirrur edhe në zgjedhje, pra kemi thirrur në një akt i cili me të vërtetë do të ishte një akt sublim dhe një akt i cili do të jepte shpresë që do të mund të ecnin proceset”, tha ai.
Sadiku u shpreh se situata është realisht akoma e komplikuar në veri të Mitrovicës.
“Realisht është komplikuar akoma, mirëpo narracioni edhe shpresa, tash vetëm se po e shohim tunelin, jo vetëm tunelin por edhe daljen nga tuneli, pasi realisht ato tensionet e mëdha, narracionet e mëdha nuk janë duke u përdorur as në Prishtinë as edhe në Beograd dhe shpresoj që të gjendet një zgjidhje”, u shpreh ai.
Tutje, Sadiku është shprehur se duhet gjetur një zgjidhje që edhe serbët të marrin pjesë në zgjedhje.
U përmend vazhdimisht që e mira në gjithë këtë zhurmë që është futur termi normalizim si normal, po flas për qytetarët, po flas për të gjitha komunitetet. Kam pasur tani vonë edhe një takim me shoqërinë civile, mirëpo për të qenë kjo punë e kryer mirë, duhet gjetur modus që të marrin pjesë edhe serbët”, u shpreh tutje ai.