Salih Mustafa deklarohet i pafajshëm, Gjykatën Speciale e quan zyre të Gestapos

Salih Mustafa deklarohet i pafajshëm, Gjykatën Speciale e quan zyre të Gestapos

Sot ka filluar gjykimi ndaj Salih Mustafës i njohur si komandant Cali në Dhomat e Specializuara në Hagë. Mustafa para gjykatëses deklaroi se është i pafajshëm teksa Gjykatën Speciale e quajti zyre e Gestapos.



“Po, për asnjë nga pikat që mi ngarkon kjo zyre e Gestapos”, duke bërë referencë për shërbimin sekret policor në kohën e Gjermanisë naziste.

Ky gjykim mbahet kundër Salih Mustafës, i akuzuar për krime lufte si ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Aktakuza kundër tij për ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme është konfirmuar në qershor të vitit të kaluar.

Krimet për të cilat akuzohet Mustafa, sipas aktakuzës, dyshohet se janë kryer gjatë muajit prill të vitit 1999 në një qendër ndalimi në fshatin Zllash që ndodhet në rrethinën e Komunës së Prishtinës.

Sipas njoftimit të Dhomave të Specializuara në Hagë, në ditën e pare të gjykimit kryegjykatësja e Trupit Gjykues do të hapë gjykimin dhe do ta informojë të akuzuarin për të drejtat dhe obligimet e tij.

Zyra e Prokurorit të Specializuar do të ketë tri orë për deklaratën e vetë hapëse.

Më pas, mbrojtësja që përfaqëson viktimat pjesëmarrëse do të ketë një orë e gjysmë për deklaratën e saj hapëse.

“Deri më tani si viktima pjesëmarrëse në proces janë pranuar nëntë persona dhe procesi i paraqitjes së kërkesave është i hapur”, thuhet në njoftimin e Dhomave të Specializuara.

Seanca për këtë gjykim janë planifikuar për muajt shtator dhe tetor.

Gjykatësit kanë bërë të ditur se prokuroria do të ketë 87 orë për paraqitjen e provave të veta. Prokuroria ka plan të thërrasë 16 dëshmitarë, 15 prej të cilëve do të dëshmojnë në sallën e gjyqit.

Related Articles