Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sot në fjalimin e saj në Samitin për Demokraci të organizuar nga presidenti i SHBA-së, Joe Biden, i ka ftuar shtetet që akoma nuk e kanë njohur Kosovën ta bëjnë këtë.
“Dua të shfrytëzoj këtë rast t’u bëj thirrje shteteve miqësore nëpër botë të qëndrojnë me Kosovën, e për ato që nuk e kanë njohur shtetësinë dhe institucionet demokratike të Kosovës t’i bashkohen shumicës së shteteve të botës e ta bëjnë këtë”, ka thënë Osmani.
“U ngritëm nga hiri si shtet dhe 15 vjet më parë të udhëhequr nga vendosmëria e njerëzve tanë, Kosova shpalli pavarësinë dhe formoi institucionet që sot janë mëshirim i lirisë e demokracisë. Sot Kosova është shtet me demokraci të fuqishme e shtet që e do lirinë. E vetëm këtë vit, jemi rankuar si vendi i tretë me më së shumti përparim në nivel të demokracisë”, ka thënë Osmani. “Demokracia është rruga që zgjedhin njerëzit tanë, e vazhdojnë të zgjedhin çdo ditë, nëpërmjet zgjedhjeve shembullore, bartjeve paqësore të pushteteve, mbajtje të lirisë së mediave e mbrojtje të të drejtave për minoritetet. Por, ka shumë punë për të bërë, do të vazhdojmë të punojmë”.
Ajo po ashtu ka falënderuar gjithë shtetet që kanë ndihmuar të ndalohet gjenocidi në Kosovë, si dhe ka thënë se Kosova do të bëjë çdo gjë të forcojë demokracinë jo vetëm brenda kufijve të saj, por edhe më gjerë.