SBASHK-u do ta dërgojë në gjykatë vendimin për mosekzekutimin e pagave për mësimdhënësit

SBASHK-u do ta dërgojë në gjykatë vendimin për mosekzekutimin e pagave për mësimdhënësit

Të hënën ka nisur procesi mësimor pasi ishte ndërprerë për pesë javë për shkak të grevës.

Por, edhe pas nisjes së mësimit pagat e shtatorit nuk u dolën mësimdhënësve në xhirollogaritë e tyre.

Sipas Qeverisë, pagë do të marrin vetëm ata që kanë mbajtur mësim.

E Sindikata e Bashkuar e Arsimit dhe Shkencës ka bërë të ditur se vendimin për mosekzekutim të pagave do ta dërgojnë në gjykatë.

Kjo u konfirmua për Klankosova.tv nga nënkryetari Ymer Ymeri.

Ymeri tha se kjo është cënim i të drejtave të punëtorëve.

“Është cenim i të drejtave të punëtorëve por njëkohësisht edhe shkelje e ligjeve ekzistuese në Kosovë në bazë të kërkesës që e kemi bërë, në rast se Qeveria na dërgon një vendim të marrë nga kushdoqoftë, atëherë ne do të nisim procedurat gjyqësore”, tha Ymeri.

Numri dy i SBASHK-ut theksoi se vendimi për mosekzekutimin e pagave është tentim i Ministrisë së Financave që ta shkatërrojë anëtarësinë e SBASHK-ut.

“Veprimi për mos me i ekzekutu pagat për mësimdhënëst është një tentim i Ministrisë së Financave për ta shkatërruar anëtarësinë e SBASHK-ut” – theksoi ai për Klankosova.tv.

Në anë tjetër, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka bërë të ditur se do të parashihet edhe kompensimi i orëve të humbura, në bazë të kalendarit të ri.

Kështu tha për Klankosova.tv Dukagjini Pupovci, zëvendësministër i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.

Related Articles