Ka mbetur më pak se një muaj, nga fillimi i vitit të ri shkollor, por shqetësues është fakti pasi sipas Ministrisë së Shëndetësisë vetëm 30 për qind e mësimdhënësve janë vaksinuar, ndonëse rastet e të infektuarve me COVID-19 janë rritur dukshëm ditëve të fundit në Kosovë.
Në anën tjetër, kryetari i Këshillit të Prindërve, Ymret Reshiti ka thënë se, për shëndetin e nxënësve, vaksinimi duhet të kushtëzohet nga ana e Qeverisë së Kosovës, për gjithë shërbyesit publik dhe në veçanti për mësimdhënësit që deri në shtator të vaksinohen.
Reshiti, për Gazetën “Engima”, ka potencuar se “i duhet të ia përkujtoj mësimdhënësve obligimin që kanë për të u vaksinuar sepse ka qenë kërkesë e hershme e tyre që mësimdhënësit të jenë kategori e privilegjuar për të u vaksinuar”.
“Hezitimi i mësimdhënësve për vaksinim nuk është aspak i justifikueshëm sepse ata kanë bërë presion për të hyrë si kategori e privilegjuar për vaksinim krahas mjekëve, policëve, ushtarëve etj”, ka pohuar Reshiti.
Sipas tij, “mësimi në shtator duhet të filloj në kushtet normale dhe nuk duhet të ketë mësim online vetëm pse mund te ketë mësimdhënës të infektuar”.
“Nëse do të ketë një veprim të tillë ne si Këshilli i Prindërve do të reagojmë kundër MASHT-it dhe Qeverisë së Kosovës që nuk kushtëzojnë vaksinimin”
“Çelësi i suksesit është bashkëpunimi”, ka thënë Reshiti pas takimit të së martës, më tre gusht me ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci, ku është diskutuar për vaksinimin e mësimdhënësve dhe fillimin e vitit shkollor 2021/2022.
Edhe në Sindikatën e Bashkuar të Arsimit, të Shkencës dhe të Kulturës së Kosovës (SBAShK), janë të befasuar me numrin e vogël të mësimdhënësve të vaksinuar.
Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka theksuar se “ka pritur që do të ketë numër më të madh të vaksinuarve”.
“Opinioni dhe mediat e din, që duke u bazuar në kërkesat e vazhdueshme të mësimdhënësve, ne kishim zhvilluar dy takime me Ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, duke kërkuar që sektori i arsimit të jetë prioritet për të u vaksinuar, ndërkohë kushtet u krijuan për një vaksinim më të madh në numër, kurse ky numri që u prezantua prej 7 mije e 200 fillimisht ishe shqetësues karshi numrit të përgjithshëm të punësuar në sektorin e arsimit”, ka nënvizuar ai.
Ai ka kërkuar nga Qeveria që mësimdhënësve t’ia bëjë kusht që të vaksinohen.
“ Është përmendur gjatë takimit se mund të ketë edhe ndonjë kushtëzim eventual dhe shpresojmë se një kushtëzim i tillë të bëhet nga Qeveria e Kosovës”, ka thënë ai.
Megjithatë kreu i SBASHK-ut, deklaratën e ministres së arsimit, Arberie Nagavci nuk e sheh si ndonjë presion, por është thirrje për mësimdhënësit që të vaksinohen.
“Ministrja Nagavci vetëm ka treguar se nuk kemi shumë mësimdhënës të vaksinuar, dhe kjo paraqet rrezik. Në media nga raportet që i marrin nga instituti publik fatkeqësisht po shihet që numri i te prekurve me COVID-19 sidomos me versionin Delta po shënon vazhdimisht rritje dhe kjo rritje mund të reflektoj edhe te sektori i arsimit”, ka theksuar ai.
Ndryshe, një nga parakushtet për fillimin e vitit të ri shkollor, sipas Ministrisë së Arsimit në Kosovë, është vaksinimi i personelit mësimor dhe stafit përcjellës me vaksinën kundër COVID-19.
Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se deri tani afër 8 mijë mësimdhënës janë vaksinuar, kurse numri i përgjithshëm i personelit arsimor në nivel vendi është 24 mijë e 370.
Ndërkaq këtë të enjte, dy persona kanë humbur jetën nga COVID-19, ndërsa kanë rezultuar 195 raste pozitive me COVID-19, në 24 orët e fundit në Kosovë.
Institutit Kombëtar i Shëndetit Publikë të Kosovës ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare dhe në laboratorët privat me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 3 mijë 730 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në teren.