Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, është takuar sot në Prizren me sulmuesin e Bayern Munichut, Arijon Ibrahimoviq, një nga talentet më premtues të futbollit evropian.
FFK ka punuar tash e një kohë për ta afruar Ibrahimoviqin në Kombëtaren e Kosovës, ndërsa ky i fundit së fundmi ka vazhduar kontratën me gjigantin gjerman deri në vitin 2028.
Ajo që iu ka rënë në sy fansave, ishte shkresa “Coming soon” në një dyqan, pas shpinës së dyshes ky ishin fotografuar, ndërsa nuk do të ishte çudi, nëse nga shtatori do ta shihnim Ibrahimoviqin, me fanellën dardane.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ademi e vlerësoi lart futbollistin kosovar, duke theksuar jo vetëm cilësitë e tij në fushë, por edhe karakterin dhe lidhjen e fortë me vendlindjen. https://www.facebook.com/AgimAdemiOfficial/posts/1666753765450301?ref=embed_post
“Në Prizrenin e bukur, sot pata kënaqësinë të drekoj së bashku me një nga talentet më të mëdhenj kosovarë të futbollit evropian, yllin e Bayern Munichut, Arijon Ibrahimoviq. Përveçse një super futbollist me të ardhme të ndritur, Arijoni është edhe një djalë i edukuar, modest dhe krenar për rrënjët e tij, vlera këto që e bëjnë edhe më të veçantë”, ka shkruar Ademi.
Kreu i FFK-së i uroi 19-vjeçarit shumë suksese në vazhdim të karrierës, duke shprehur bindjen se ai do të arrijë suksese të mëdha në futbollin evropian.
“I uroj nga zemra shumë suksese në karrierë dhe jam i bindur se e ardhmja i rezervon atij arritje të mëdha”, shtoi presidenti i FFK-së.
Në fund, Ademi falënderoi edhe familjen e Ibrahimoviqit për rolin e saj në edukimin e futbollistit dhe ruajtjen e lidhjes së tij me Kosovën. https://x.com/FCBayern/status/2074501476748063105
“Një falënderim i veçantë edhe për familjen e tij, e cila i ka kultivuar dashurinë për atdheun dhe vlerat e Kosovës”, përfundoi ai.
