Sekretari i EFJ-së për sulmet e Dimal Bashës ndaj gazetarëve: BOLL MË

Sekretari i EFJ-së për sulmet e Dimal Bashës ndaj gazetarëve: BOLL MË

Sekretar i përgjithshëm i Federatës Europiane të Gazetarëve, Ricardo Gutierrez, është shprehur thellësisht i shqetësuar për sulmet e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, ndaj gazetarëve.

Ai kërkon nga Basha, që t’i ndalojë ato.

“Zoti Basha, ju kërkoj të ndaloni intimidimin dhe përpjekjet për t’i diskredituar gazetarët dhe organizatën e gazetarëve. Mjaft është mjaft. Apo duhet të flas në gjuhën tuaj: BOLL MA. Kjo është thjesht e papranueshme në vendet demokratike”, ka shkruar ai në Facebook.

“Si guxoni të silleni në këtë mënyrë ndërsa vendi juaj po lufton për anëtarësimin në Këshillin e Europës? Sjellja juaj e papërgjegjshme po e dëmton reputacionin e Kosovës”, shtoi ai.

Sekretari i EFJ-së , kërkoi nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti, që të marrë masa.

“I bëj thirrje kryeministrit të Kosovës Albin Kurti që menjëherë të marrë masa që anëtarët e partisë së tij t’i ndalojnë sulmet e vazhdueshme kundër gazetarëve dhe shoqërisë civile”, tha ai.

Ai theksoi se shpresonte që Lëvizja Vetëvendosje do të reflektonte pas lajmit të keq të së premtës, ku Kosova shënoi regres të madh në indeksin e “Reporterët pa Kufij” për lirimë e mediave.

“Shpresoja se lajmi i keq i së premtes për nivelin alarmues negativ të lirisë së medias në Kosovë do ta bënte Vetëvendosjen dhe anëtarët e saj të reflektonin për përgjegjësinë e tyre. Isha gabim”, theksoi ndër të tjera sekretari i EFJ-së transmeton Klankosova.tv

Reagimi i Ricardo Gutierrez, vjen pasi që në Ditën Botërore të Lirisë së Mediave, deputeti i LVV-së, Dimal Basha, akuzoi gazetaren e Radio Televizionit të Kosovës se “po bën pyetje të ngjashme me ato të Radio Televizionit të Serbisë!”.

Related Articles