Në Mitrovicën e veriut dhjetëra qytetarë janë mbledhur të premten për të shprehur pakënaqësinë me pushtetin në Serbi, që udhëhiqet nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq.
Në gjithë Serbinë të premten është mbajtur grevë e përgjithshme e qytetarëve dhe studentët, të cilët për më shumë se dy muaj bllokojnë fakultetet, duke kërkuar përgjegjësi penale dhe politike për vdekjen e 15 personave nga shembja e strehës në Stacionin Hekurudhor në Novi Sad, më 1 nëntor.
I njëjti aksion, me disa dhjetëra qytetarë, është mbajtur edhe në Mitrovicë të Veriut.
Aty qytetarët serbë kanë thirrur “Vuçiqi në burg”.
Aksioni i 15 minutave heshtje është mbajtur para Fakultetit Filozofik në Mitrovicë të Veriut, i cili funksionon në kuadër të Universitetit të Serbisë.