Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka kujtuar të zhdukurit e luftës së fundit të Kosovës, në ditën e tyre.
Osmani përmes një postimi në Facebook, deklaroi se Serbia po mohon të vërteten e të zhdukurve të Kosovës, e ende fle mbi varreza masive të civilëve të pafajshëm.
“Mbi 1600 të zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë, shumë prej tyre fëmijë, ende mbesin plaga më e thellë e Kosovës”, shkroi Osmani.
“Synim i regjimit gjenocidal të Serbisë ishte shfarosja dhe shkatërrimi i identitetit tonë, i të ardhmes sonë. Duke e mohuar të vërtetën, Serbia po e përsëritë vazhdimisht krimin. Duke mbajtur arkivat e mbyllura, pavarësisht dakordimit të Brukselit që e kërkon të kundërtën, Serbia po shkel edhe marrëveshjet e arritura. E vërteta nuk mund të fshihet prapa propagandës se kinse Serbia qenka pro paqes dhe pro integrimit në BE. E vërteta është një dhe e vetme: në vitin 2024, Serbia ende fle mbi varreza masive të civilëve të pafajshëm”, është shprehur Osmani.