Profesori amerikan i John Hopkins University, Daniel Serwer ka bërë sot një analizë të gjatë për ndërlidhjen që kanë zhvillimet në mes të Rusisë dhe Ukrainës me atë se çfarë ndodh në Ballkanin Perëndimor, raporton Gazeta Enigma.
Siç shkruan Serwer në faqen e tij zyrtare, agresion ushtarak i Rusisë në Ukrainë e ka një “binjak’ në Ballkan që realizohet përmes një lufte hibride të drejtuar nga Serbia, kryesisht kundër Kosovë, Bosnjës, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut.
Ai tutje potencon se në rast se Rusia do të dështojë në Ukrainë, atëherë automatikisht do të dështojë edhe në Ballkan, megjithatë shton se nëse ndodh e kundërta dhe nëse Rusia fiton në Ukrainë, atëherë duhet të priten përpjekje më agresive në Ballkan.
Serwer përpiqet që të argumentojë këto konstatime të tij, duke përmendur disa zhvillime të ndodhura prapa në kohë. Sipas tij, Departamenti Amerikan i Shtetit ka qenë shumë i butë me Serbinë si “agjenti kryesor” i Rusisë në Ballkan dhe shton se Washingtoni ka lejuar që miliarda dollarë investime të shkojnë në Beograd. Ai shton se tashmë Pentagoni është duke bërë përpjekje që të rris edhe bashkëpunimin ushtarak me ushtrinë Serbe.