Serwer: SHBA-ja duhet të favorizojë miqtë në Ballkan e jo armiqtë

Serwer: SHBA-ja duhet të favorizojë miqtë në Ballkan e jo armiqtë

Njohësi i zhvillimeve në rajonin e Ballkanit, Daniel Serwer, i ka bërë thirrje politikës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës që të kthehet në favorizimin e miqve të saj në Ballkan dhe kundër armiqve, pas deklaratave kërcënuese të presidentit serb Aleksandar Vuçiq.

Vuçiqi ditë më parë aludoi në një pushtim të Kosovës, duke thënë se “po pret momentin e duhur”.

Në një analizë në blogun e tij, Serwer është treguar tejet kritik për “politikën ledhatuese” të SHBA-së karshi Serbisë. Ai është i bindur se Serbia vetëm e shfrytëzon “fuqinë ushtarake” të SHBA-së për përfitimet e saj. Kritika ka edhe për ambasadorin amerikan në Beograd, Christopher Hill, që së fundmi ka nxitur reagime të mëdha pasi ka thënë se “Serbia është më afër NATO-s sesa Kosova”.

“Ambasadori i SHBA-së në Beograd ka lavdëruar bashkëpunimin me ushtrinë serbe edhe pse presidenti i Serbisë e bën të qartë qëllimin për të pushtuar Kosovën në një moment. Si mund të jenë të dyja të vërteta? Nuk është vërtet e vështirë ta kuptosh këtë. Serbia bashkëpunon në stërvitjet e SHBA-së dhe NATO-s për dy arsye. Së pari, ata [NATO] ofrojnë trajnime të mira, të cilat rusët nuk janë në gjendje t’i bëjnë. Performanca e ushtrisë ruse në Ukrainë është përmirësuar, por humbjet e saj janë thjesht kolosale. Askush nuk do të donte t’i imitonte ata. Së dyti, stërvitjet e NATO-s ofrojnë mundësi të shkëlqyera për të mbledhur inteligjencë. Kjo do të shërbejë mirë në çdo veprim ushtarak serb kundër forcave të udhëhequra nga NATO në Kosovë. Beogradi, pa dyshim, gjithashtu ia kthen këtë inteligjencë Moskës”, ka shkruar Serwer.

Sipas njohësit të Ballkanit, politika ledhatuese e SHBA-së karshi Serbisë nuk ka funksionuar e nuk ka prodhuar asgjë më shumë se disa rezultate të vogla. Siç shkruan Serwer, Perëndimi duhet të kundërshtojë ambiciet etnoterritoriale ruse dhe serbe, jo t’i inkurajojë ato.

“Kjo përkëdhelje ndaj Vuçiqit është bërë sjellje e paracaktuar në Beograd. Pyetja është pse tolerohet në Uashington. Mendoj se ka arsye. Por nuk ka gjasa të jenë të mira. Asnjë ‘shuplakë’ nuk do ta ndryshojë vendimin e Beogradit për t’u lidhur me Rusinë. Vuçiqi e ka bërë të qartë se synon të marrë mbrapsht një pjesë të Kosovës sa herë që i jepet rasti. Çdo marrëveshje në Ukrainë për t’i dorëzuar territorin Rusisë do ta ofrojë këtë mundësi. Uashingtoni duhet të rishqyrtojë përpjekjet e gjata për ta ‘pasur afër’ Vuçiqin. Ajo përpjekje ka dështuar. Ajo gjithashtu ka inkurajuar ambiciet e tij irredentiste, jo vetëm në Kosovë, por edhe në Mal të Zi dhe në Bosnje-Hercegovinë. ‘Bota serbe’ që ai synon është rreptësishtë analoge me “botën ruse” që presidenti Putin po përpiqet të krijojë në Gjeorgji, Bjellorusi, Moldavi dhe më ambiciozisht në Ukrainë. Perëndimi duhet të kundërshtojë ambiciet etnoterritoriale ruse dhe serbe, jo t’i inkurajojë ato. Në vend të kësaj, Uashingtoni po dyfishon një politikë që ka dështuar të prodhojë asgjë më shumë se rezultate të vogla”, ka shkruar tutje Serwer.

Related Articles