SHBA: Dera e hapur për rifillimin e bashkëpunimit, kërkohen hapa konkretë nga Kurti

SHBA: Dera e hapur për rifillimin e bashkëpunimit, kërkohen hapa konkretë nga Kurti

Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë derën e hapur për përmirësimin e marrëdhënieve dhe rifillimin e bashkëpunimit me Qeverinë e Kosovës, por me kushtin që qeveria në detyrë të angazhohet për t’i ulur tensionet.

Kështu ka deklaruar një zëdhënës i Ambasadës amerikane në Prishtinë, i pyetur nëse çështja e pezullimit të dialogut të planifikuar strategjik do të trajtohet në takimet me liderët e Kosovës që morën pjesë në margjinat e sesionit të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara.

“Siç ia kemi bërë të qartë qeverisë në detyrë, dera është e hapur për përmirësimin e marrëdhënieve dhe rifillimin e bashkëpunimit. Megjithatë, kjo kërkon hapa konkretë nga kryeministri në detyrë Kurti për të ulur tensionet dhe për të çuar përpara qëllimin tonë të përbashkët për forcimin e paqes dhe stabilitetit si bazë për prosperitet ekonomik të ndërsjellë. Ne do të vazhdojmë të vlerësojmë veprimet e qeverisë në detyrë”, kanë thënë për Kohën në Ambasadën e SHBA-së.  

Pas vendimit të Shteteve të Bashkuara për pezullimin e Dialogut të planifikuar strategjik me Kosovën, qeveria në detyrë nuk dha sinjale se do të ketë ndryshim kursi ashtu siç kërkuan Shtetet e Bashkuara.

Deri tash në asnjërin prej takimeve të realizuara, për të cilat qeveria lëshoi komunikata, nuk përmendet Dialogu strategjik.

Po ashtu deri tash kanë munguar edhe takimet me përfaqësues të Departamentit Amerikan të Shtetit.

E në një takim me studentë në SHBA, Kurti ka thënë se Shtëpia e Bardhë ka pezulluar Dialogun e planifikuar strategjik me Kosovën, për shkak të mbylljes së strukturave ilegale serbe në veriun e Kosovës, i banuar me shumicë serbe.

“[Arsyeja e pezullimit të Dialogut të planifikuar strategjik] është për shkak të sundimit të ligjit në veri të Kosovës, i cili rezultoi të ishte kundër strukturave ilegale serbe dhe këtu nuk mund të bëj kompromise. Nuk mund t’ia lë këtë problem brezit tuaj. Mendoj që brezi im është ai që duhet ta përfundojë këtë”, ka deklaruar Kurti.

Related Articles