SHBA e shpalli si gruan më të guximshme, Feride Rushiti flet për Gazetën “Enigma”

SHBA e shpalli si gruan më të guximshme, Feride Rushiti flet për Gazetën “Enigma”

Sot festohet dita ndërkombëtare e gruas në të gjithë botën, për të nderuar dhe respektuar figurën e gruas, shkruan Gazeta Enigma. 

Kjo ditë është simbolike për rrugëtimin historik që gratë në të gjithë botën kanë bërë për të përmirësuar jetën e tyre. 

E anë e mbarë botës dëgjohet edhe zëri i grave të hekurta nga Kosova.
  
Një nga to është Feride Rushiti, e cila në vitin 2018 fitoi çmimin nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës “Gratë e Guximshme”.

Melania Trump dhe Feride Rushiti

“Çmimin Ndërkombëtarë për Gratë e Guximshme ia dedikoj të gjitha grave mbarë Kosovës”, rrëfen Rushiti për Gazetën Enigma, e cila është drejtoreshë e “Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës” (QKRMT). 

“Sot ju drejtohem të gjitha grave dhe vajzave: Besoni fuqishëm në potencialin tuaj për të përmirësuar botën”, këshillon Rushiti gjithë gratë në Kosovë.  

Rushiti gjatë intervistës, theks të veçant i ka dhënë sfidave dhe pengesave gjatë jetës së saj veç pse ishte grua. 

“Do t’i sillja në vëmendjen tuaj sfidat me të cilat jam ndeshur që nga viti 1999 e tutje, nga familjarë të ndryshëm jemi kërcënuar…”, shton tutje ajo.  

Intervista e plotë: 

Gazeta Enigma: Si e shpjegoni momentin kur e fituat çmimin Gruaja e Guximshme në ShBA?! 

Rushiti: “Ndarja e një Çmimi të tillë, padyshim që ka qenë një moment I rëndësishëm në jetën dhe punën time. Ajo çfarë kam ndjerë në ato momente, faktikisht ka qenë një gërshetim emocionesh. Në njërën anë të rrokullisen vërdallë nëpër mendje vuajtjet dhe përjetimet e mijëra të mbijetuarve të dhunës seksuale nga koha e luftës në Kosovë, në fakt mendoj që pikërisht guximi, këmbëngulja dhe vendosmëria e tyre kanë bërë të mundur nderimin me këtë çmim, ndërsa në anën tjetër ndjehesh mirë kur sheh që një kauz e tillë është avancuar dhe njohur ndërkombëtarisht, dhe se ti kontribuar sadopak duke qenë zë I kësaj kategorie të ndjeshme shoqërore. Prandaj, edhe këtë Çmim, gjithherë ia kam dedikuar të gjitha grave dhe mbarë Kosovës” 

Gazeta Enigma: A respektohen sipas jush mjaftueshëm të Drejtat e Gruas në Kosovë? 

Rushiti: Respektimi I të Drejtave të Grave është I lidhur ngushtë me pranimin e rolit të tyre në shoqëri. Të drejtat e grave dhe roli I tyre në Kosovë, përgjithësisht kanë avancuar që nga përfundimi I luftës e tutje. Sot ato thjesht nuk janë kujdestare të fëmijëve të tyre, por përmes angazhimit në sfera të ndryshme, institucionale e shoqërore e kulturore, ato mbajnë financiarisht familjet e tyre dhe japin një kontribut të çmuar në zhvillimin institucional e shoqëror. Mirëpo, fatkeqësisht respektimi I të drejtave të gruas nuk ka ecur paralelisht, në masë të dëshiruar, me avancimin dhe transformimin e rolit të saj në shoqëri. Për rrjedhojë, ne sot nuk mund të themi që të drejtat e grave respektohen mjaftueshëm, sepse në vazhdimësi jemi dëshmitarë të rritjes së rasteve të dhunës në familje, të cilat janë dërmuese janë dhunë kundër gruas, pastaj në rasin më të keq ne jemi dëshmitarë të privimit të grave nga jeta. Përshtypja ime është sikur ka një rezistencë nga bota mashkullore, për njohjen dhe pranimin e rolit “të ri’ të gruas në shoqëri. Në anën tjetër, në nivelet e përfaqësimit institucional roli I gruas duhet parë përtej kuotave sasiore që janë kodifikuar gjithandjen në Kushtetuten e Kosovës. Pra, ajo çfarë dua të them është nevoja për rritjen dhe njohjen e rolit të gruas në politik-bërje dhe vendimmarrje. 

Gazeta Enigma: Si e shihni figurën e gruas në Kosovës, a është në rrugën e duhur?! 

Rushiti: Përgjithësisht, profili I një gruaje të sotit ka ndryshuar për të mirë, dhe sot gratë kanë avancuar në nivelin e shkollimit si për nga cilësia, ashtu edhe për nga sasia. Pra, mendoj që shoqëria jonë ka avancuar vrullshëm në shkollimin e femrës. Gjithashtu, mendoj që profili dhe roli I një gruaje mund të ndryshojë shumë në varësi të kulturës, shoqërisë dhe preferencave personale, Sot, gratë mund të jenë udhëheqëse, profesioniste, artistem bartëse dhe përgjegjëse në nivele të ndryshme institucionale dhe të ndërmarrësive ekonomike. Para se gjithash, është e rëndësishme të njihet dhe të mbështetet pavarësia dhe liria e grave për të përcaktuar rrugët e tyre dhe për të bërë zgjedhjet e tyre. Është gjithashtu e rëndësishme të punohet drejt krijimit të një shoqërie më të barabartë dhe gjithpërfshirëse që u ofron grave mundësi të barabarta dhe heq barrierat për suksesin e tyre. 

Gazeta Enigma: Ku “qalon” gruaja në një vend në tranzisicion si Kosova? 

Rushiti: Tranzicioni në vetvete është një proces kompleks që kërkon ndryshime të rëndësishme në sistemet ekonomike, politike, institucional, sociale dhe kulturor. Kur kësaj I shtojmë edhe kontekstin e luftës nëpër të cilin ka kaluar Kosova, atëherë gjërat sa vijnë e vështirësohen më shumë. Pra, Kosova nuk kishte nisur një tranzicion në kushte normale, përkundrazi kushtet ishin të jashtëzakonshme, ekzistenciale ku luftoj me jetën dhe vdekje. Prandaj, gratë e kishin shumë të vështirë emancipimin shoqëror, kulturor e politik, në një ambient pothuajse tërësisht të kapluar nga narrativi nacionaliste që dominohej nga burrat. Përkundër këtij terreni të vrazhdë e të papërshtshëm, përkundë këtij tranzicioni të pazakonshëm, gratë kanë arritur që të depërtojnë dhe janë treguar shumë të zonja si në sferën publike, po ashtu edhe në atë private. Dhe kjo ekskulizvisht është meritë e tyre. Megjithëkëtë, mendoj që ende ka punë për të bërë, deri në emancipimin e plotë politik e qytetar të gruas në shoqëri. Mirëpo, në të njëjtën kohë jam plotësisht e vetëdijshme që shumë gjëra dhe zhvillime nuk varen nga veprimet apo mos veprimet e gruas, por janë pasojë e një tranzicioni kulturor të papërfunduar, të cilin ende po e vuajmë si shoqëri. 

Gazeta Enigma: A keni hasur ndonjë herë në ndonjë padrejtësi ndaj jush veç pse jeni grua?!

Rushiti: Bota që na rrethon na duket sa e padrejtë po aq edhe e pabarabartës, andaj edhe ne si aktivistë të drejtave të njeriut punojmë çdo ditë duke u përpjekur që ta bëjmë sa më të drejtë dhe sa më të barabartë. Dhe si një aktiviste, shpeshherë ti e harron vetveten, ku tërë forcën dhe energjinë, kapacitetin personal e profesional e përqendron tek kauza dhe padrejtësitë që u bëhen grupit që ti e përfaqëson dhe për të cilin ti punon. Prandaj, edhe padrejtësitë me të cilat ne ndeshemi në punën tonë të përditshme, të duken shumë minore dhe të parëndësishme kur I vë përballë padrejtësive të grave të mbijetuara të dhunës seksuale, me të cilat ne punojmë. Kështu që, më shumë sesa padrejtësitë me të cilat jamë ballafaquar si grua në punën time, do të sillja në vëmendjen tuaj sfidat me të cilat jamë ndeshur që nga viti 1999 tutje. Pra, në fillimet e herrshme të punës sime, indentifikimi I viktimave të dhumës seksuale dhe qasja në komunitet përveçse që paraqisnin rrezik për vetë të mbijetuarit, njëkohësisht sfidonin edhe punën tonë, dhe jo rrallë familja dhe të afërmit e tyre na kërcënonin vetëm e vetëm që të mos shpërfaqej “sekreti familjar” dhe e kaluara e hidhur. Prandaj, viktimat e përdhunimit vuanin dy herë: së pari duke u dhunuar, dhe së dyti duke u dënuar nga një kmunitet patriarkal. Pastaj, kanë qenë pikërisht mosnjohja institucionale dhe shoqërore e vuajtjeve të viktimave të dhunës seksuale, që në vazhdimësi kanë sfiduar punën tonë. Prandaj edhe sot e kësaj dite ne avokojmë fuqishëm për të drejtat e tyre dhe luftojmë stigmatizimin që rrethon këtë kategori të ndjeshme shoqërore. 

Gazeta Enigma: Cili është mesazhi juaj për nder të 8 marsit ditës së gruas? 

Rushti: Sot në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, të gjitha grave dhe vajzave ju them: Besoni fuqishëm në potencialin tuaj për të përmirësuar botën. Nuk është e lehtë, por nëse udhëhiqemi nga humanizmi, vendosmëria dhe profesionalizmi, gjithmonë është e mundur që të bëjmë ndryshme pozitive dhe të lehtësojmë vuajtjet e njerëzve të pambrojtur që na rrethojnë./GAZETAENIGMA

Related Articles