ShBA-ja synon përmirësim raportesh me palestinezët, premton rihapje të konsullatës në Jerusalem

ShBA-ja synon përmirësim raportesh me palestinezët, premton rihapje të konsullatës në Jerusalem

Shtetet e Bashkuara kanë premtuar se do t’i përmirësojnë marrëdhëniet me palestinezët duke rihapur një konsullatë në Jerusalem dhe duke ofruar ndihmë për rindërtimin e Rripit të Gazës, të goditur rëndë nga luftimet.

Komentet e sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, erdhën pas takimeve që pati me liderët palestinezë në Bregun Perëndimor, shkruan BBC.

Në rrjetet sociale, kryediplomati amerikan tha se gjatë bisedimeve të së martës me presidentin e Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas, dhe kryeministrin Mohammad Shtayyeh diskutoi për thellimin e bashkëpunimit të Amerikës me palestinezët.

Ai premtoi se do ta avancojë procesin e rihapjes së konsullatës së Shteteve të Bashkuara në Jerusalem, e cila shërbente si kanal i saj diplomatik për palestinezët.

Konsullata ishte mbyllur nga paraardhësi i presidentit Biden, Donald Trump, në vitin 2019, duke i zemëruar palestinezët dhe duke i tensionuar raportet me ta.

Ish-presidenti amerikan kompetencat për raportet me palestinezët ia kaloi ambasadorit të tij në Izrael, kur vendosi që ta ndërronte vendndodhjen e ambasadës së ShBA-së nga Tel Avivi në Jerusalem.

Për të ofruar ndihmë për rindërtimin e Gazës, administrata e Bidenit së fundi ka thënë se do të kërkojë nga Kongresi që të ndahen 75 milionë dollarë asistencë.

Related Articles