Të mërkurën janë liruar nga detyra 13 ambasadorë politikë dhe në mungesë të tyre, ata zëvendësohen nga diplomati tjetër me rangun më të lartë me shërbim në atë mision diplomatik, i cili merr detyrën e të ngarkuarit të përkohshëm me punë (Chargé d’Affaires ad interim).
Mirëpo, Ministria e Punëve të Jashtme mund të vendosë të dërgoj një person tjetër me rangun Ambasador, nga radhët e diplomatëve të karrierës, për të kryer detyrën e të Ngarkuarit me Punë deri në dërgimin e Ambasadorit të ri (siç është rasti i dërgimit të Ambasadorit Valdet Sadiku, si i Ngarkuar me Punë në Uashington).
Kështu sqaroi në një prononcim për Telegrafin, Emir Abrashi nga Demokraci Plus, i cili po ashtu tha se të Ngarkuarit me Punë, pavarësisht nëse mbajnë gradën e ambasadorit, nuk janë të akredituar tek Kreu i Shtetit, prandaj edhe tërheqja e ambasadorit konsiderohet ulje e përfaqësimit në nivel të Ngarkuarit me Punë.
“Ambasadorët e Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë pas dorëzimit të Letrave Kredenciale, përfaqësojnë Kreun e Shtetit tek Kreu i Shtetit pritës, ndërsa Të Ngarkuarit me Punë, pavarësisht nëse mbajnë gradën e Ambasadorit, nuk janë të akredituar tek Kreu i Shtetit, prandaj edhe tërheqja e Ambasadorit konsiderohet ulje e përfaqësimit në nivel të Ngarkuari me Punë. Të Ngarkuarit me Punë më pas janë të privuar nga pritjet e organizuara nga Kreu i Shtetit pritës, dhe mund të marrin pjesë vetëm në organizimet e Ministrisë së Punëve të Jashtme të shtetit pritës”, sqaroi Abrashi.
Mirëpo, a kanë rregulla e kushte strikte vendet e ndryshme për emërimin e ambasadorëve të rinj nga Kosova, Abrashi tha: “Secili vend ka kushte e rregulla të ndryshme, jo vetëm për pranimin e ambasadorëve nga Kosova, por nga cilido vend qofshin ata. Shtetet i përmbahen rregullave të Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike të vitit 1961 për trajtimin e kërkesave për akreditim të diplomatëve. Megjithatë, secili shtet ka specifika të ndryshme, dhe kohëzgjatja e zëvendësimit të këtyre ambasadorëve mund të dalloj nga shteti në shtet”.
Abrashi po ashtu theksoi se është në diskrecionin e shtetit pritës që të refuzoj një kandidat të caktuar, duke i pamundësuar kështu marrjen e detyrës.
“Refuzimi mund të mos jetë gjithnjë eksplicit. Shteti pritës mund të vendosë që të mos kthej asnjë përgjigje për një kandidat të caktuar, dhe ky konsiderohet ‘Refuzim në Heshtje’”, tha ai.
Por, sipas tij, problematikë me të cilën mund të ballafaqohet Kosova në këtë periudhë, është edhe situata me pandeminë.
“Vendet mund të kenë rregulla shumë strikte sa i përket pranimit të diplomatëve të rinj. Rast konkret është Australia, ku Ambasada jonë në Kanberra nuk ka asnjë diplomat tjetër përpos ambasadorit. Pas largimit të ambasadorit, nuk do të ketë një diplomat tjetër i cili do të mund të emërohej i Ngarkuar me Punë, e dërgimi i dikujt tjetër përkohësisht mund të jetë problematik”, u shpreh Abrashi.
Ai tha se pas shkarkimit të këtyre ambasadorëve, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës duhet të fillojë procedurat për përzgjedhjen e ambasadorëve të rinj të Republikës së Kosovës në të gjitha këto vende në të cilat Kosova ka ngelur pa ambasadorë të jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë.
“Në konsultim me Zyrën e Kryeministrit, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës i propozon Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit, kandidatin/en, i/e cili/a më pas intervistohet nga Komisioni në një mbledhje me dyer të mbyllura. Komisioni për Punë të Jashtme më pas harton një raport, me anë të së cilit i propozon Presidentes dekretimin ose jo të kandidatit/es. Megjithatë, raporti i Komisionit për Punë të Jashtme është konsultativ, dhe Presidentja mund të vendosë ndryshe nga rekomandimi i Komisionit. Pas marrjes së Dekretit nga Presidentja, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës fillon procedurat me Ministrinë homologe për të marrë fillimisht pëlqimin për personin në fjalë, dhe më pas për akreditimin e tij/saj si Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Kosovës. Kjo procedurë, megjithatë, mund të marrë disa muaj kohë, dhe nuk është çështje ditësh apo javësh”.
Abrashi tutje tha se marrë parasysh procedurën shumë komplekse të dërgimit të ambasadorëve të rinj, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës është treguar e nxituar me lirimin e 13 ambasadorëve politikë njëkohësisht.
“Kjo është dashur të bëhej me një plan konkret veprimi, i cili do të duhej të ishte i mirë-studiuar e mirë-menduar, dhe i cili nuk do të lejonte krijimin e boshllëqeve në marrëdhëniet dypalëshe të Republikës së Kosovës me gjithë ato vende”.
Abrashi tregoi se Republika e Kosovës tashmë ka mungesë ambasadorësh në 18 vende (nga 32 Ambasada sa Kosova i ka gjithsej), përfshirë këtu qendrat kryesore të diplomacisë botërore, si Uashingtoni, Brukseli, Londra, Berlini, Parisi, Tokio, Abu Dhabi e Doha, si dhe në të gjitha vendet e rajonit.
“Vlen të theksohet se Ambasada jonë në Londër është pa Ambasador tash e tre vjet, dhe kjo padyshim e vë Kosovën në pozitë të sikletshme në marrëdhëniet e saj me Mbretërinë e Bashkuar. Të tilla situata duhet të shmangen me çdo kusht në zëvendësimin e ambasadorëve”, tha ai.
Mirëpo siç vlerëson Abrashi, Ministria e Punëve të Jashtme fillimisht është dashur t’i zëvendësojë ambasadorët të cilët kanë munguar tash e një kohë, si në Uashington, Londër, Bruksel e Tokio.
“E, tek më pas, të filloj procedurat e kthimit të ambasadorëve të emëruar politikisht, duke filluar në fazën e parë me zëvendësimin e atyre që kanë përmbushur mandatin katër vjeçar, për të vazhduar më pas në fazën e dytë tek ata të cilët nuk e kanë përmbushur mandatin katër vjeçar, mirëpo të cilët nuk kanë treguar ndonjë performancë të mirë në kryerjen e detyrave, për të vazhduar në fund në fazën e tretë me ata që janë të emëruar politikisht, por që përkundër performancës, mund të mos jenë në linjë me synimet e qëllimet e Qeverisë së re”, tha ndër të tjera për Telegrafin , Emir Abrashi nga Demokraci Plus.
Ndryshe, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani-Sadriu, ka miratuar më 19 maj propozimin e Qeverisë së Kosovës, për lirim nga detyra të 13 ambasadorëve të emëruar politikë nëpër vende të ndryshme
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka konfirmuar se bëhet fjalë për largimin e 13 ambasadorëve.
Ata janë Beqë Cufaj- Gjermani, Nait Hasani – Shqipëri, Arbër Vllahiu – Çeki, Lirim Grejqevci – Holandë, Shpend Kallaba – Hungari, Gezim Kasapolli – Kroaci, Avni Kastrati – Slloveni, Gjergj Dedaj – Maqedoni e Veriut, Hajdin Abazi – Australi, Ylber Hysa – Mal i Zi, Avni Arifi – Emiratet e Bashkuara Arabe, Amir Ahmeti – Katar dhe ambasadori në Francë, Qëndrim Gashi.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti është deklaruar rreth largimit të ambasadorëve politikë, duke thënë se shërbimi i jashtëm ishte i mbingarkuar me diplomatë politikë, duke e kaluar kuotën e paraparë ligjore.
Kurti në një postim në rrjetin social Facebook shkruan se ky është hap i duhur drejt kthimit të ligjshmërisë në këtë dikaster, ndërsa tha se së shpejti do t’i fillojnë procedurat për dërgimin e diplomatëve në misionet diplomatike, ku numrin dukshëm më të madh do ta përbëjnë diplomatët e karrierës.
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), Donika Gërvalla ka thënë se shkarkimi i ambasadorëve të emëruar politikisht është vetëm një hap drejt reformave që do të bëjnë në shërbimin diplomatik.
Gërvalla tha se do të vazhdojnë edhe me vendime tjera sa i përket shërbimit diplomatik, teksa bëri të ditur se përzgjedhje e ambasadorëve të rinj do të bëhet javëve në vazhdim.
“Në javët në vijim do të bëhet përzgjedhje e ambasadorëve të rinj, si dhe do të vazhdojë reforma. Reforma është e vonuar, kjo po përgatitet në mënyrë serioze”, deklaroi ajo.