Shkatërrohet laboratori ku prodhohej droga – Flasin nga policia për ‘Enigmën’

Një operacion i madh antidroge është duke u realizuar në Shirokë të Suharekës, raporton Gazeta Enigma.

Operacioni antidrogë kishte për cak një grup të personave që prodhonin marihuanë në fshatin Shirokë.

Lidhur me këtë çështje Gazeta Enigma, ka kontaktuar zëdhënësin e Policisë së Rajonit të Prizrenit, Vesel Gashi.

Gashi, ka konfirmuar se Policia dhe Prokuroria do të mbajnë një konferëncë për media me fillim nga ora 20: 00, ku do të jepen detajet për këtë aksion.

“Për këtë aktivitet që është zhvilluar sot në Shirokë, Policia dhe Prokuroria do të mbajë konferencë për shtyp në ora 20:00 dhe do ti zbulojnë të gjitha detajet nga ky aksion”, ka thënë ai për ‘Enigmën’.

Ndërsa, ka refuzuar të konfirmojë arrestimin e gjashtë personave ose diçka të tillë.

Ndryshe, Policia e Kosovës apo më saktësisht Drejtoria e Hetimit të Trafikut të Narkotikëve, pas hetimeve të ndërmarra disa muaj të koordinuara me Prokurorinë Themelore për Krimet e Rënda në Prizren, me datën nëntë shkurt rreth orës 20:20 pas një operacioni taktik në fshatin Konushevcë të komunës së Podujevës ka konfiskuar 91 kilogramë lëndë narkotiket të tipit marihuanë.

“Hetuesit policor fillimisht kanë monitoruar paraprakisht të gjitha lëvizjet e të dyshuarave me veturën e tyre dhe kanë dhënë urdhër që vetura i dyshuar të ndalet”, pati thënë Major Reshat Murseli në një konferencë të jashtëzakonshme për media.

Sipas Drejtorit të Drejtorisë së Narkotikëve, të dyshuarit me vepra kriminale nga e kaluara nuk e kanë përfillur urdhrin policor për ndalje por, përkundrazi kanë rritur intensitetin e tyre të lëvizjes me veturë me tabela gjermane duke kanosur dhe rrezikuar jetën e policëve.

Gjatë ikjes, vetura ka goditur një hetues policor, i cili ka pësuar lëndime të lehta trupore dhe i janë shkaktuar dëme materiale veturës. Kjo kanosje e zyrtarëve policorë ka detyruar këta të fundit që të përdorin edhe armën e zjarrit ku me ç’rast kanë shkrepur dy plumba në drejtim të dyshuarve.

“Ndërsa vetura është ndaluar i dyshuari braktis veturën dhe arrin të arratiset në këmbë në drejtim të panjohur. Në veturë brenda saj policia ka gjetur 34 paketime me marihuanë me peshë mbi 91 kilogramë”, kishte njoftuar policia në konferencë./Gazeta Enigma/

Related Articles