Shkurtimi i orarit të punës për zyrtarët komunal që agjërojnë, a po shkelet Kushtetuta e vendit?!

Shkurtimi i orarit të punës për zyrtarët komunal që agjërojnë, a po shkelet Kushtetuta e vendit?!

Disa komuna të Kosovës kanë marrë vendim rishtazi që ta shkurtojnë për një orë orarin e shërbyesve publik nëpër komuna që janë duke agjëruar, shkruan Gazeta Enigma.



Ndonëse disa komuna tashmë janë bërë ‘pishman’ për këtë vendim, njohësit e Kushtetutës thonë që një vendim i tillë bie ndesh me ligjin.

Ndërkohë të martën qarkulloi në media një vendim i Komunës së Kamenicës e cila i shkurtoi orarin për një orë shërbyesve civil që janë duke agjëruar, nga kjo komunë e demantuan një gjë të tillë.

“Zyra e Kryetarit të Komunës së Kamenicës ka pranuar telefonata të vazhdueshme si dhe kërkesa për prononcime, për çështjen e lirimit nga orari si dhe shtyrjen e fillimit të orarit të punës për administratën komunale, për shkak të Muajit të Ramazanit. Zyra e Kryetarit nuk ka marrë një vendim të tillë, si dhe procesi i punës vazhdon si zakonisht në Komunën e Kamenicës”, thuhet në njoftim.

Në po të njëjtën ditë, Komuna e Gjilanit, me vendim të kryetarit Alban Hyseni vendosi që prej 24 mars deri më 20 prill, në muajin e Ramazanit të gjithë zyrtarët publik të administratës komunale që agjërojnë të punojnë një orë më pak.

Përmes këtij vendimi Hyseni ka obliguar drejtoritë të mbajnë evidencë për stafin që agjërojnë, me qëllim që orari për ta të nis në orën 9:00, dhe jo në 8:00 si zakonisht.  

Lidhur me këtë çështje Gazeta Enigma, ka kontaktuar me zëdhënësin e Komunës së Gjilanit Besart Selimi, i cili deklaroi se ky vendim varijon nga vitet e kaluara, dhe është marrë me kërkesë të punëtorëve të administratës.

“Vendimi nuk ka qenë ide as propozim nga kryetari Alban Hyseni, dhe se një vendim i tillë në Gjilan është nxjerr për vite me radhe nga ish-kryetari i komunës. Një numër shumë i madh i zyrtarëve kanë kërkuar që një vendim i tillë të aprovohet përseri”, ka thënë Selimi për Enigmën.

Ai shton se përmes këtij vendimi synohet që të respektohet besimi e ritualet e secilit qytetarë, dhe “të lehtësohet sado pak përditshmëria e atyre që agjërojnë”.

Për ta konfirmuar nëse një vendim i tillë i komunave bie ndesh me ligjin, Gazeta Enigma ka kontaktuar se profesorin universitar të së Drejtës, Flamur Hyseni, i cili theksoi se vendimi është i kundërligjshëm.

Profesor universitar i se Drejtës, Flamur Hyseni

Hyseni ka numëruar 5 ligjet më të cilat nuk përputhet ky vendim.

Sipas tij një nga nenet e Kushtetutë që shkelet me vendimin për shkurtimin e orarit për punonjësit e institucioneve publike është neni 8 i Kushtetutës.

“Republika e Kosovës është shtet laik dhe neutral në çështje të besimeve fetare”, thuhet ndër të tjera në këtë nen.

Ligji tjetër me të cilin bie ndesh vendimi i komunave, sipas Hysenit është edhe ai për Vetëqeverisje Lokale dhe Ligji i punës.

“Me qëllim të themelimit të një sistemi të qëndrueshëm të vetëqeverisjes lokale dhe të përmirësimit të efikasitetit të shërbimeve publike në Republikën e Kosovës. Ky ligj ka për qëllim krijimin e bazës ligjore për punësim të zyrtarëve publikë në institucionet e Republikës së Kosovës, të bazuar në merita, integritet moral, paanësi dhe qëndrueshmëri”, thuhet ndër të tjera në ligjin për Vetëqeverisje lokale.

Përpos kësaj, profesori Hyseni thotë se vendimi për shkurtim të orarit nuk përkrahet as me Statutin mbi të cilin funksionon Komuna e Gjilanit.

Kujtojmë se një vendim i tillë është marrë disa vite radhazi nga shumë kryetar komunash të Kosovës.

Gazeta Enigma ka dërguar pyetje në disa komuna tjera por që deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka marrë përgjigje./ GAZETA ENIGMA.

Related Articles