Është finalizuar operacioni policor i koduar “Fluksi 3”, i treti gjatë kësaj jave, për goditjen e tentativave për të futur para të padeklaruara, në Shqipëri, të cilat dyshohet se rrjedhin nga veprimtari kriminale.
Si rezultat i operacionit policor të koduar “Fluksi 3”, u kap në flagrancë dhe u arrestua shtetasi Diafet Palushi, 30 vjeç, banues në Sukth, Durrës, i cili vinte nga Anglia dhe kishte fshehur në çantën e dorës, 100 460 paund, me qëllim futjen e tyre në Shqipëri, pa i deklaruar sipas ligjeve në fuqi.
Shuma e parave u sekuestrua në cilësinë e provës materiale dhe vijojnë hetimet për dokumentimin ligjor të burimit të saj, njofton Policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtari kriminale”.
Ky është rasti i 3-të brenda një jave i sekuestrimit të parave në pikën kufitare të Portit të Durrësit. Gjatë kësaj jave, në këtë pikë kufitare u sekuestruan 204 230 euro të tjera që tentoheshin të futeshin në vendin tonë, ilegalisht, me 2 autobusë.