Shtatë persona të vdekur nga aksidentet e trafikut brenda një jave në Kosovë

Shtatë persona të vdekur nga aksidentet e trafikut brenda një jave në Kosovë

Shtatë persona kanë humbur jetën në aksidente trafiku në Kosovë brenda kësaj jave.

Të mërkurën mbrëma vendi u trondit nga një aksident i rëndë në rrugën Ferizaj-Shtime, i cili u mori jetën katër personave. Policia njoftoi se në këtë aksident janë përfshirë tri vetura.

Deri te aksidenti dyshohet se ka ardhur kur drejtuesi i njërës nga veturat për arsye deri më tani të pa njohura, ka humbur kontrollin mbi veturë dhe ka goditur dy veturat tjera, të cilat ishin duke lëvizur në drejtim të kundërt.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, ka njoftuar se njëri nga viktimat është 21-vjeçar, tjetri 23-vjeç derisa dy viktimat tjera janë të moshës rreth 40-vjeçar.

Në këtë aksident lëndime të rëndë kanë pësuar edhe persona – burrë e grua, të cilët po trajtohen në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Nga QKUK-ja kanë bërë të ditur se gruaja e lënduar është në gjendje të rëndë shëndetësore dhe është shtatzënë.

“Një grua e datëlindjes 1996, është në gjendje të rëndë, ekipet mjekësore emergjente po bëjnë maksimumin, kurse personi tjetër që po merr trajtim ka lëndime më të lehta”, kanë thënë nga QKUK-ja.

Një aksident tjetër me fatalitet ka ndodhur të premten në Hodonovc të Kamenicë. Si pasojë e këtij aksidenti dy persona kanë humbur jetën, ndërsa janë lënduar tre të tjerë.

Në mesin e të lënduarve ishte edhe një foshnjë gati 1 vjeçare, e cila nuk u ka mbijetuar plagëve dhe ka vdekur gjatë së shtunës, në QKUK ku ishte duke u trajtuar. Ndërsa, të lënduarit janë duke marrë trajtim në qendrën emergjente në Gjilan.

Nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan kanë konfirmuar se në këtë aksident janë përfshirë dy vetura me tabela vendore.

Shkaqet e këtij aksidenti ende janë të panjohura dhe po hetohen nga hetues policorë të aksidenteve.

Në rrethana tragjike edhe një person tjetër ka ndërruar jetë të premten mbrëma.

Policia ka njoftuar se një person pasi ishte vet-aksidentuar ka dal nga vetura për të kaluar në anën tjetër të rrugës, ndërkaq më pas është goditur nga një veturë që ishte në lëvizje dhe ka ndërruar jetë për shkak të lëndimeve të rënda.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:35 në fshatin Rastavic-Deçan.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, trupi e pajetë i viktimës dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion.

Ndërkaq, dyshuari është dërguar në mbajtje prej 48 orësh. 

Related Articles