Vaksinimi i qytetarëve i cili po shihet si një proces që po zvarritet shumë, në burgjet në vend po shkon me rregull dhe pa ndonjë problem. Këtë e ka konfirmuar në një deklaratë, Behxhet Shala, nga Këshillimi për Mbrojtjen e të Dreejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj).
Sipas tij, gati shumicën e këtyre qendrave i kanë vizituar dhe kanë parë që shumica e të burgosurve janë vaksinuar, e që shpejtë pritet të marrin edhe dozën e dytë.
“Tek shumica e qendrave të paraburgimit, pothuajse shumica gjendja është e mirë sa i përket tek vaksinimi i personave të privuar nga liria dhe stafi që punon me ta, gjendja është më e mirë sesa jashtë burgjeve. Shumica e të burgosurve janë vaksinuar, tash po marrin vaksinën e dytë e poashtu edhe pjesa e stafit janë vaksinuar”.
“Departamenti i burgjeve bashkë më shërbimin korrektues e ka koordinuar mirë punën dhe po e mban në kontroll pothuajse nuk ka asnjë rast në mesin e të burgosurve, ndërsa stafi ka disa raste por që po menaxhohet mirë dhe deri tash nuk ka asnjë pengesë. Kanë mjete të mjaftueshme dhe situata është e qëndrueshme”, tha Shala.
Kurse këshilltari ligjor, Anton Nrecaj gjendjen e të burgosurve nuk e sheh aspak të mirë, pasi sipas tij, ka marrë telefonata nga burgjet lidhur me trajtimin jo të mirë gjatë pandemisë në qendrat e paraburgimit.
Nrecaj shton se nuk dihet saktë se cila është gjendja e tyre shëndetësore.
“Kam pasur disa thirrje nga burgjet të cilët kanë shprehur brengat e tyre në lidhje me trajtimin e të burgosurve nëpër burgje, telefonatat kanë qenë kryesisht nga burgu i Dubravës, ku dihet që është një prej burgjeve më të mëdha në vend dhe që i plotëson deri diku standardet e kushteve për të burgosurit. Por që pandemia ka ndikuar shumë në këtë proces ku shumë gjëra i kanë pasur edhe më të kufizuar”.
Sipas Nrecaj situata e të burgosurve mbahet shumë e mbyllur e që në fakt detyrimi kryesor i shtetit është të përkujdeset për mirëqenien dhe trajtimin human të tyre.
“Tash kemi rritje të rasteve edhe me variantin tjetër, dhe kemi një mbyllje të sërishme apo izolim i të burgosurve por edhe që nuk kam dijeni se a janë të vaksinuar këta të burgosur, është përgjegjësi dhe detyrim i shtetit për trajtimin sa më human ndaj ruajtjes së shëndetit të burgosurve”.
“Gjithçka është e mbyllur dhe nuk kemi informacione me një sjellje jo njerëzore ndaj tyre, qasja ndaj tyre është shumë e kufizuar, dhe e kuptoj këtu edhe çështjen e pandemisë, por që shteti duhet të përkujdeset për mirëqenien e tyre dhe të bëjë trajtimin human”, deklaroi Nrecaj.
Shumica e të burgosurve janë vaksinuar, ka ankesa për trajtim jo të duhur në pandemi from Ekonomia Online on Vimeo.