Si funksiononte grupi i fajdeve e basteve në Prizren?

13 persona ishin arrestuar në aksionin e Inspektoratit Policor të Kosovës e Policisë, nën urdhrat e Prokurorisë Themelore në Prizren, javë më parë.

Informacionet ishin se persona të dyshuar po zhvillonin veprimtari ilegale të fajdeve e basteve online në disa zona të ndryshme të regjionit të Prizrenit.

Aksioni i shtrirë në disa lokacione të ndryshme e qytete të tjera rezultoi më 13 të arrestuar, e qindra mijëra euro, armë, telefona, shtëpi e parcela të cilat u konfiskuan.

Kallxo.com transmetoi pamjet të aksionit që u zhvillua disa javë më parë, ndërsa funksionimi i grupit ishte interesant.

Pjesë e grupit të dyshuar ishte edhe një zyrtar policor. Kjo bëri që në rast të përfshihej në hetim edhe Inspektorati Policor i Kosovës i cili zbuloi se polici dyshohej se po kryente disa vepra penale.

Katër persona konsideroheshin kokat e grupit, e të tjerët ishin punëtorët që kryenin punët e urdhëruara.

Vepra kriminale e basteve online e cila është e ndaluar në Kosovë, nga grupi dyshohej se ishte bartur në disa kafeteri të zonës së Prizrenit.

Lojërat online zhvilloheshin nga telefonat e punëtorëve që punonin nëpër lokale ndërsa më pas kjo veprimtari u lidh edhe me atë të fajdesë.

Zyrtari policor dyshohet se përveç veprave penale të fajdesë dhe organizimit të lojërave të fatit online, dyshohet edhe për detyrim e keqpërdorim të detyrës.

Një person ishte detyruar që të hyjë edhe në kredi që t’i paguante paratë policit që ia kishte marrë me fajde.

Situata madje në një rast ishte tensionuar pasi që zyrtari policor dyshohet se e kishte sulmuar viktimën brenda veturës.

Udhëheqësi i Divizionit për Hetime në Inspektoratin Policor të Kosovës, Bardhyl Haxhimustafa ka treguar se informacionet i kishin pranuar muaj më parë, në fillim të këtij viti.

“Pas përpunimit të informacionit, hetuesit e IPK-së kanë mbledhur material të nevojshëm, materiali i është dërguar prokurorisë dhe prokuroria ka vendosur që në këtë rast kemi elemente të veprës penale të cilat dyshohet polici”- shpjegon nisjen e rastit Haxhimustafa.

Haxhimustafa shpjegon se janë zhvilluar disa masa të fshehta teknike për personat e dyshuar dhe zyrtarin policor i cili ka qenë personi kyç që ka hetuar IPK për muaj të tërë.

“Kanë qenë dy ekipe hetimore një nga IPK një nga Policia e Kosovës sepse përveç zyrtarit policor ka pasur edhe qytetar që janë dyshuar për kryerje të veprimtarive kriminale”- thotë tutje drejtuesi i divizionit për hetime në IPK.

Haxhimustafa shpjegon funksionin e grupit të dyshuar i cili u arrestua.

“Gjatë hetimit dhe aplikimit të masave të fshehta na kanë dhënë mundësinë me kuptu që ky grup është duke vepruar bashkërisht në drejtim të veprës penale fajde dhe bixhozi i kundërligjshëm. Janë lokale të caktuara në rajonin e Prizrenit duket përfshi edhe qytetet të tjera. Pjesëtarët e grupit që merren me këtë veprimtari shpërndajnë llogari ku mundësojnë lojën e bixhozit. Lojërat zhvilloheshin në lokale të gastronomisë, kafeteri e pastaj fitimi më i madh ndahet për pjesëtarët e grupit”- shpjegon rolin e grupit Haxhimustafa.

Pajisjet teknologjike duke nisur nga telefoni janë ato kycet që kanë nisur të përdoren për zhvillimin e basteve.

“Sistem i cili funksionon përmes teknologjisë ku nga tiketat e basteve të lojërave sportive apo garave të ndryshme siç është gara e qenve kemi deri te lojërat e pokerit që funksionon përmes telefonave dhe i-pad-ëve”- tregon Haxhimustafa.

“Duke marrë për bazë edhe rastet si IPK kemi pasur edhe raste të tjera duke përfshi edhe rastin e Karaçevës, Gjilanit, Gjakovës ku ka pasur edhe zyrtar të policisë të përfshirë në veprën penale të bixhozit, kryesisht pagesat bëhen para në dorë kur klienti i tyre, fiton në bast atëherë janë vendet e caktuara ku takohen dhe bëhen paratë në dorë, ndërsa pagesa e lojës bëhet përmes hapjes së llogarive elektronike ku qarkullimi bëhet përmes parasë elektronike përmes llogarive”- thotë Haxhimustafa.

Polici i dyshuar i cili u hetua disa muaj nga IPK konsiderohej si një nga kryesorët e grupit të fajdeve e bixhozit.

“Pikërisht fokusi hetimor i IPK është te zyrtari policor ku deri më tani grumbullimi i gjithave provave hetimore përmes aplikimit edhe të masave të fshehta dhe me kontakte nga burimi i informatave, na jep që zyrtari policor është në mesin e personave kryesor të grupit ku kryesisht roli më i madh është te fajdeja si dhe te bixhozi i kundërligjshëm”- shpjegon rolin e policit udhëheqësi i grupit hetimor në IPK.

Haxhimustafa shpjegon edhe se si bien në kontakt të dyshuarit me viktimat e tyre.

“Grupi funksionon në mënyrë shumë klasike, gjejnë viktimën e fajdesë e joshin për të marrë shuma të caktuara të fajdesë dhe momentin që futin në fajde ata, u përcaktojnë kamata të larta dhe për një kohë të shkurtë ato bëhen kamata të papërballueshme të cilat viktimat nuk kanë mundësi ta përballojnë kthimin e kamatës, atëherë ka raste ku grupi ka kërcënuar dhe shantazhuar viktimat për kthimin e kamatës së fajdeve”- thotë Haxhimustafa.

Related Articles