Me shtimin e rasteve të infeksionit në Kosovë është rritur edhe rreziku shëndetësor për shtresa të caktuara, shkruan Gazeta “Enigma”.
Aktualisht në klinikat e QKUK-së, në Kosovë janë 13 paciente lehona, të cilat janë të prekura me COVID-19.
Gjendja e tyre është stabile, 9 prej tyre nuk janë të vaksinuara me vaksinë kundër COVID-19.
Drejtori i kësaj Klinikës së Gjinekologjisë në QKUK, Jakup Ismajli, në një përgjigje për Gazetën ‘Enigma’ ka thënë se nga këto raste, asnjëra prej tyre nuk ka qenë në gjendje të rëndë.
“Gjendja e shtatzënave është stabile. Momentalisht i kemi 13 paciente me COVID-19. Pacientet janë të konfirmuara me COVID-19, sa i përket variantit nuk mund ta dimë për shkak se ajo është procedurë tjetër e verifikimit”, ka thënë Ismajli.
Ismaili ka shtuar se nga këto paciente për momentin asnjë nuk është në oksigjeno-terapi.
“Simptomat janë kollitje, temperaturë, dhimbje fyti, por nuk ka me oksigjenoterapi, gjendja e tyre është stabile, është e mirë”, theksoi Ismaili.
Sipas drejtorit Ismaili, shumica e pacienteve kanë qenë të pa vaksinuara.
Drejtori i Gjinekologjisë në QKUK, Jakup Ismajli, ka treguar se nga 19 paciente vetëm 3 prej tyre janë të vaksinuara.
“13 paciente që janë të pranuara në repartin tonë 9 nga to janë të pavaksinuara dhe vetëm 3 të vaksinuara”, ka thënë ai.
Ndërsa, infektologu, Ilir Tolaj, në nj përgjigje për Gazetën “Enigma” ka theksuar se shtatzënat nuk kanë asnjë kufizim për vaksinim kundër COVID-19.
“Nuk ka asnjë kufizim për vaksinimin e grave shtatzëna e as atyre që dëshirojnë me mbet shtatzënë”, ka theksuar Tolaj.
Tolaj ka shtuar se “Gratë gravide bëjnë pjesë në grupin e personave me rrezik të lartë në raport me COVID-19, kështu që duhet të vaksinohen kundër COVID- 19”.
Infektologu, Salih Ahemti, në një prononcim për Gazetën ‘Enigma’ ka theksuar se vaksinimi është i rekomanduar edhe për gratë shtatzëna sikurse edhe për gjithë individët tjerë.
“Shtatzënat mund ta marrin vaksinën në çdo kohë të shtatzënisë, qoftë ajo edhe pas lindjes, nuk ka efekte anësore të veçanta me përjashtim të atyre efekteve që mundet ti paraqet te secili individ që mund të lidhen me dhimbje, me skuqjen e vendit e injektimit, lodhje kokëdhimbje që mund të shfaqen nga 12 deri në 24 orët e para pas marrjes së vaksinës, por të gjitha këto raste mund të jenë shumë të rralla”, ka deklaruar Ahmeti.
Ahmeti ka theksuar se “vaksinën po ashtu mund ta marrin edhe të gjitha gratë që dëshirojnë me mbet shtatzënë”.
“Sa i përket COVID-it te gratë shtatzënë, duhet të theksojmë se vet shtatzënia është një gjendje e veçantë e cila shoqërohet me një mbingarkesë të veçantë të organizmit dhe natyrisht që edhe me çrregullime hormonale që mund të shoqërohen edhe me ulje të imunitetit”, ka deklaruar ai.
Shtatzënat janë më të rrezikuara nga ballafaqimi me COVID-19.
“Në këtë drejtim shtatzënat janë më të rrezikuara nëse ballafaqohen me ndonjë formë agresive të virusit natyror dhe ecuria e sëmundjes mund të jetë më e rënd se sa tek një individ i zakonshëm”, ka thënë Ahmeti për Enigmën.
“Në këtë drejtim shtatzënat duhet me qenë ma të kujdesshme qoftë në marrjen e vaksinave, qoftë në respektimin e masave mbrojtëse meqenëse mundësia e ballafaqimit me virusin natyror mund të shoqërohet një kuadër klinikë më të rëndë me individët e tjerë”, ka përfunduar Ahmeti.
Ministria e Shëndetësisë ditë të fundit ka publikuar disa foto në profilin e tij në “Facebook” në lidhje me vaksinimin e grave shtatzëna kundër COVID-19, e po ashtu edhe të atyre që planifikojnë shtatzëni dhe grave gjidhënëse.
Nga kjo ministri kanë thënë se vaksina nuk prek në asnjë mënyrë organet riprodhuese të femrës apo të mashkullit dhe se ajo stimulon sistemin imunitar që të prodhojë antitrupa kundër COVID-19.
Nga MSH kanë thënë po ashtu se gratë shtatzëna janë ato që rrezikohen më shumë nga ky virus.
“Gratë shtatzëna rrezikohen më shumë nga COVID-19 dhe mund të kenë pasoja të rënda si lindja e parakohshme. Studimet tregojnë se përfitimet e marrjes së vaksinës kundër COVID-19 tejkalojnë çdo rrezik të mundshëm të vaksinimit gjatë shtatzënisë”, thuhet nga Ministria e Shëndetësisë.
Po ashtu, nga MSH kanë thënë se vaksinat janë të sigurta edhe për nënat gjidhënëse dhe se vaksina nuk transmetohet përmes qumështit të gjirit.
Ministria e Shëndetësisë, sipas të dhënave nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, informon se në total numri i rasteve aktive me koronavirus është 34.208. /Gazeta Enigma/