Si nisi aksioni i sotëm për rastin “Brezovica”, gjithçka që dihet deri më tani

Si nisi aksioni i sotëm për rastin “Brezovica”, gjithçka që dihet deri më tani

Brenda më pak se një muaji dy aksione u zhvilluan në qendrën e njohur të skijimit Brezovica, nën dyshimet se janë kryer ndërtime pa leje në këtë kompleks. Mëngjesin e të enjten u zhvillua aksioni i dytë i Policisë së Kosovës, në tri lokacione, Prishtinë, Ferizaj dhe Shtërpcë, shkruan Gazeta “Enigma”.

Nga ky aksion shtatë persona janë arrestuar, dy prej të cilëve janë zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit, Planikifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

Lajmin e ka konfirmuar Prokuroria Themelore e Ferizajt, përmes një komunikate drejtuar mediave.

Ata dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare – marrje ryshfeti dhe dhënie ryshfeti.

“Deri me tani janë arrestuar shtatë (7) persona, dy prej tyre janë zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës të cilët dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare – marrje ryshfeti, si dhe pesë (5) qytetarë të dyshuar për dhënie të ryshfetit”, ka njoftuar Prokuroria.

Siç njofton prokuroria, aksioni është duke vazhduar ende.

Bastisje janë zhvilluar edhe në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Pamje nga aksioni

Lajmin për Gazetën “Enigma” e ka konfirmuar Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Shukri Jashari.

“Po, janë duke u kryer bastisje. Aksioni është duke u zhvilluar në Prishtinë, Ferizaj dhe Shtërpcë. Bastisje janë duke u kryer edhe në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Është vazhdimësi e aksionit të 21 dhjetorit, pra për ndërtimet në Brezovicë. Deri tash s’ka të arrestuar, meqenëse bastisjet po vazhdojnë ende”, ka thënë Jashari.

Kush janë të arrestuarit?

Mediat kanë raportuar dy zyrtarët e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës që u arrestuan sot janë Bedri Halimi dhe Mustafë Hyseni. Dy të arrestuarit janë zyrtarë të Departamentit të Shpronësimit.

Ndërsa, pesë të arrestuar janë qytetarë të dyshuar për dhënie ryshfeti.

Aksioni është zhvilluar në 10 lokacione të ndryshme, në Prishtinë, Ferizaj e Shtërpcë.

Po ashtu, bastisje pati edhe në objektin e Ministrisë së Mjedisit.

“Me urdhër të Prokurorisë Themelore në Ferizaj dhe në bashkëpunim me Policinë e Kosovës është duke vazhduar aksioni i filluar me datë 21 dhjetor 2021 për rastin “Brezovica”, ku janë duke u bastisur 10 lokacione në qytete të ndryshme, ndër to edhe zyrat e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës”, thuhet në njoftim.

Pamje nga aksioni


Si nisi aksioni i dhjetorit për rastin Brezovica?

Në fund të dhjetorit të vitit 2021, Policia e Kosovës ka arrestuar dhjetë persona, përfshirë ish-kryetarin e Komunës së Shtërpcës, njëherësh zyrtarin e Listës Serbe, Bratisllav Nikolliq, nën akuzat për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Autoritetet dyshojnë se Nikolliq ka përfituar deri në një milion euro për lejet e lëshuara kundërligjshëm për ndërtimin e objekteve në Brezovicë, në Komunën e Shtërpcës.

Nikolliq dhe të arrestuarit e tjerë dyshohet se kanë marrë vila, vetura dhe dhurata të tjera në këmbim të lëshimit të lejeve për ndërtimin e vilave dhe objekteve të tjera në Parkun Kombëtar “Sharri”, ku gjendet edhe Brezovica.

Pamje nga aksioni

Autoritetet gjyqësore kanë thënë se shumica e ndërtesave në Brezovicë janë ndërtuar në mënyrë të kundërligjshme.

Sipas tyre, nëse vërtetohet se ato janë ndërtuar pa leje, të gjitha pronat, përfshirë edhe vilat, do të sekuestrohen përkohësisht.

Shtërpca është njëra prej gjashtë komunave me shumicë serbe në jug të Lumit Ibër në Kosovë.

Në krye të saj, që nga themelimi në vitin 2009 e deri në fund të nëntorit 2021, ishte Nikolliq, nga radhët e Listës Serbe.

Ndërkohë, në dhjetor të vitit të kaluar, Gjykata Themelore në Ferizaj e ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji për dhjetë personat e arrestuar më 21 dhjetor në rastin ‘Brezovica’. Në mesin e tyre është edhe Bratisllav Nikolliq, ish – kryetar i Komunës së Shtërpcës dhe zyrtar i Listës Serbe.

“Kërkesën e Prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër dhjetë të dyshuarve, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtëve i`u është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji për secilin veç e veç”, thuhet në njoftim.

Në kërkesën për vendosjen e masës së paraburgimit thuhet se ekziston dyshimi i arsyeshëm se Nikolliq, nga viti 2014 deri në tetor të vitit 2018 ka marrë para dhe dhurata në mënyrë të drejtpërdrejtë në këmbim të dhënies së lejeve ndërtimore në Parkun Kombëtar “Sharri”, përkatësisht në zonën e dytë dhe të tretë në Brezovicë.

Prokuroria dyshon se Nikolliq ka keqpërdorur detyrën zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete, por edhe “ka pranuar dhurata me qëllim të ushtrimit të ndikimit të padrejtë në vendimmarrjen e personave zyrtarë për dhënien e lejeve ndërtimore”.

Nikolliq dyshohet se ka përfituar deri në 1 milion euro për lejet e lëshuara kundërligjshëm për ndërtimin e objekteve në Brezovicë. / Gazeta Enigma.

Related Articles