“Si shoqëri jemi të prirur të jemi paragjykues” – flasin profesionistët në Ditën Botërore të Shëndetit Mendor

“Si shoqëri jemi të prirur të jemi paragjykues” – flasin profesionistët në Ditën Botërore të Shëndetit Mendor

Dhjetë tetori njihet si Dita Ndërkombëtare e Shëndetit Mendor.

Shoqëria kosovare si një shoqëri e sapodalë nga lufta pa dyshim se një ‘luftë’ të dytë e ka zhvilluar me traumat që ajo e para ua la, shkruan Gazeta Enigma

Prandaj si rrjedhojë gjithnjë e më shumë është bërë thirrje që t’i kushtohet vëmendje shëndetit mendor.

Padyshim se një nga metodat më efikase të mirëmbajtjes të shëndetit mendor mbetet ajo e konsultave me profesionistë shëndetësor.

Lidhur me këtë, Gazeta Enigma ka biseduar me psikologen Mirjeta Pestisha Deliu, e cila ka folur për rëndësinë e të pasurit një mendje të shëndoshë.

“Padyshim se shëndeti mendor ka një rëndësi të madhe në zhvillimin e mirëqenies emocionale, psikologjike dhe shoqërore të dikujt.. Gjithçka që ndodh me trupin tonë, intervenimi i hershëm është çelësi i një suksesi, sepse problemet e shëndetit mendor manifestohen në mënyra të ndryshme, ka lidhshmëri edhe më shëndetin fizik, të cilat më pas shoqërohen më humbjen e vëmendjes, shpërqëndrimin ose jo koncentrimin etj” , shprehet psikologia Pestisha – Deliu.

Psikologia Deliu tutje tha se ngjarjet e fundit nëpër botë, përfshirë këtu edhe konfliktet e armatosura si dhe tensionet në veri të vendit ndikojnë në një formë tek shëndeti mendor i shoqërisë kosovare, tek ata të cilët nuk kanë arritur të ‘shërojnë’ traumat e luftës.

“Secila ngjarje që po ndodh, gjithsecila na rikthen tek ato të cilat ne i kemi përjetuar, nëse ne nuk i kemi trajtuar si duhet ose nuk kemi marrë trajtim tek një specialist”, shtoi tutje ajo.

Ndërkaq për Gazeta Enigma ka folur edhe sociologia Flakë Ymeri, e cila ka shtjelluar qasjen e shoqërisë kosovare ndaj psikologut.

Ymeri thotë se pas pandemisë është rritur vetëdijësimi tek qytetarët sa i përket vizitave tek profesionistët shëndetësorë të shëndetit mendor, mirëpo thekson se ende ekziston paragjykimi ndaj atyre që zgjedhin ti vizitojnë këta të fundit.

“Njerëzit e kanë kuptuar që duhet të tregohet kujdes ndaj shëndetit mendor sepse gjithë presionin që mundemi me pas, duhet gjet një alternativë për zgjidhje të problemit, e ku ka më mirë se konsultat me profesionistë”, tha sociologia.

“Si shoqëri ende e kemi dozën e paragjykimit shumë të lartë për të tjerët që vizitojnë psikologun ose psikiatrin, mirëpo nuk është e rëndësishme sa paragjykohemi, e rëndësishme është që ne të jemi rahat me veten“, shtoi më tej Ymeri.

Shëndeti mendor në epokën moderne është përherë e më shumë një shqetësim për autoritetet meqenëse vlerësohet se sot në botë vuajnë nga shqetësimet mendore më shumë se 450 milion njerëz. /Gazeta Enigma

Related Articles