Dragani nga Mitrovica e Veriut, një komunë me shumicë serbe që gjendet në veri të Kosovës, thotë se nuk guxon të shprehë publikisht mendimin e tij për përdorimin dhe promovimin e simbolit ‘Z’ në qytetin e tij.
Në Rusi, shkronja ‘Z’ përdoret si simbol i pushtimit ushtarak në Ukrainë, vizatohet ose ngjitet në makina civile dhe bilborde, e disa të tjerë e kanë stampuar edhe në bluzat e tyre.
“Unë nuk e di as si do ta ketë emrin Zelensky pasi ata hoqën shkronjën ‘Z’”, thotë Dragani për Radion Evropa e Lirë.
Në Mitrovicën e Veriut në mbrëmjen e 3 prillit, një grup qytetarësh festuan fitoren e Partisë Përparimtare Serbe të Aleksandar Vuçiqit, duke vendosur simbolin ‘Z’ në makinat e tyre, e duke valëvitur flamuj partiak dhe atë rus.
Edhe në javët e kaluara, simboli ‘Z’ ishte parë i vizatuar në muret e disa ndërtesave në Mitrovicë të Veriut.
Jovani, banor i Mitrovicës së Veriut, beson se simboli ‘Z’ vizatohet pa vetëdije nga të rinjtë dhe sipas tij, askush nuk i përkrah veprimet e tilla.
“Të rinjtë po i bëjnë këto. Ata nuk janë të vetëdijshëm për simbolet dhe ngjarjet e luftës dhe tmerret që aktualisht po ndodhin në Ukrainë”, thotë Jovani.
Në fund të marsit, Ukraina u ka bërë thirrje shteteve që të dënojnë penalisht përdorimin e simbolit ‘Z’, i cili konsiderohet si mbështetje për luftën e Rusisë në Ukrainë.
Fillimisht e përdorur në tanket ruse që kanë hyrë në Ukrainë, shkronja ‘Z’ besohet se ka kuptimin “za pobedu” (për fitore) – dhe ky simbol shumë shpejt nisi të përdorej nga rusët si shenjë mbështetjeje për pushtimin e Ukrainës.
Tri lande gjermane, Berlini, Bavaria dhe Saksonia e Ulët – tashmë kanë thënë se kushdo që përdor simbolin për të promovuar luftën, mund të dënohet me deri tre vjet burgim.
Ministria e Brendshme gjermane ka paralajmëruar se ata që e prezantojnë simbolin për të “mbështetur” pushtimin “mund të ndiqen penalisht”.
Ministri i Jashtëm ukrainas, Dimitry Kuleba, u ka bërë thirrje dhe vendeve tjera që të ndjekin shembullin e Gjermanisë.