EULEX-it është cytur që t’i largojë nga skena politika disa persona që cilësoheshin si “peshqi të mëdhenj”, thotë ish-kryegjykatësi i këtij misioni, Malcolm Simmons. Ai përmendi rastin e politikanit tashmë të ndjerë serb, Oliver Ivanoviq.
Simmons tha se donin ta eliminonin politikisht politikanin serb që atë kohë dilte hapur kundër pushtetit në Serbi dhe vartësve të tyre në Kosovë.
“Shefi i misionit më shtyu që ta çojë përpara rastin e Oliver Ivanoviqit. Ma tha qartë se nuk donte që Ivanoviq të merrte pjesë në zgjedhjet e ardhshme lokale në Kosovë”, tha ai.
Para deputetëve të Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsion, Simmons tha se për të dënuar politikanë të rangut të lartë, bëhej presion nga ndërkombëtarët dhe jepeshin decidivisht kërkesa specifike.
“Më kanë thënë se misioni ka synuar të largojë nga jeta politike persona që quheshin peshqi të mëdhenj. Më thanë se presin të shohin gjykatësit e EULEX-it t’i dënojnë ata”, tha Simmons.