Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, ka renditur një sërë ndryshimesh urgjente që sipas saj janë të domosdoshme për përmirësimin e jetës së qytetarëve shqiptarë në Luginën e Preshevës, shkruan Gazeta “Enigma”.
Duke folur për sfidat kryesore politike, institucionale dhe ekonomike, Sinani ka theksuar se pa ndaljen e pasivizimit të adresave, njohjen e diplomave nga Kosova dhe zbatimin e plotë të marrëveshjeve ekzistuese, barazia dhe zhvillimi i qëndrueshëm në këtë rajon mbeten të paarritshme.
“Së pari, duhet të ndalet menjëherë pasivizimi i adresave, sepse ai përbën një formë të zhdukjes administrative të qytetarëve shqiptarë dhe cenon drejtpërdrejt të drejtat themelore civile dhe politike. Pa siguri juridike, nuk mund të ketë as zhvillim dhe as stabilitet shoqëror”, deklaroi Sinani për Gazetën “Enigma”.
Tutje ajo ka theksuar se “njohja e diplomave të universiteteve të Republikës së Kosovës duhet të zgjidhet pa vonesa të mëtejshme. Pa kuadro profesionale të kualifikuara nuk mund të funksionojnë as institucionet publike dhe as shërbimet bazë, ndërsa largimi i të rinjve vazhdon ta zbrazë Luginën nga potenciali i saj njerëzor”.
“Së treti, është e domosdoshme të zbatohet plotësisht dhe pa selektivitet kuadri ekzistues i marrëveshjeve ndërkombëtare: Marrëveshja e Konçulit, marrëveshja për Trupin Koordinues dhe Plani 7-pikësh. Këto marrëveshje duhet të shoqërohen me përgjegjësi konkrete dhe mekanizma mbikëqyrës”.
Kryetarja e Preshevës tha se është e domosdoshme përpilimi i një platforme-programi të përbashkët ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës për Luginën e Preshevës.
“Në planin financiar dhe institucional, kërkohet dyfishimi i buxhetit të Trupit Koordinues, si minimum për të përballuar nevojat reale të komunave shqiptare. Njëkohësisht, duhet të ndalen të gjitha pengesat administrative dhe politike ndaj ndihmës financiare që vjen nga Republika e Kosovës dhe Republika e Shqipërisë, sepse këto ndihma nuk janë politike, por zhvillimore dhe humanitare në funksion të qytetarëve”, ka deklaruar ajo.
“Po ashtu, është e domosdoshme përpilimi i një platforme-programi të përbashkët ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës për Luginën e Preshevës. Kjo platformë duhet të shkojë përtej rritjes së buxhetit dhe të përfshijë masa afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjata për ndaljen e migrimit, për ruajtjen e popullsisë dhe për krijimin e perspektivës ekonomike dhe sociale në vend”, tha Kryetarja e Preshevës për “Enigmën”.
“Barazia, zhvillimi dhe zbatimi i ligjit janë parakusht për një të ardhme të qëndrueshme”
“Në këtë proces, bashkësia ndërkombëtare duhet të jetë pjesë aktive, jo vetëm si monitoruese, por edhe si partnere në hartimin dhe financimin e projekteve zhvillimore, ashtu si në periudhën 2001–2005. Investimet në infrastrukturë bazike – ujë të pijshëm, kanalizim fekal, rrugë, objekte arsimore dhe shëndetësore – si dhe subvencionet për bujqit, blegtorët dhe ndërmarrjet e vogla e familjare janë thelbësore për të ndalur zbrazjen e Luginës”, deklaroi ajo.
“Pa këto ndryshime thelbësore dhe pa një qasje të koordinuar institucionale mes Serbisë, Kosovës, Shqipërisë dhe faktorit ndërkombëtar, përmirësimi i jetës së qytetarëve në Luginën e Preshevës do të mbetet i pamundur. Barazia, zhvillimi dhe zbatimi i ligjit janë parakusht për një të ardhme të qëndrueshme”, ka përfunduar ajo. /gazeta Enigma/
