Sindikata e Policisë ka kërkuar sërish nga Qeveria që me pagën e muajit mars të realizohen shtesat e rrezikshmërisë për të gjithë zyrtarët policorë, pa përjashtim.
Në njoftim thuhet se kjo sindikatë i ka vendosur afat kohor Qeverisë për përgjigje në lidhje me këtë kërkesë dhe disa të tjera, pas një takimi që kanë mbajtur të premten anëtarët e Këshillit Drejtues të saj.
“Kërkojmë nga Qeveria e Republikës së Kosovës që shtesat e rrezikshmërisë për të gjithë zyrtarët policorë, pa asnjë përjashtim, të realizohen me pagën e muajit mars dhe në asnjë rast të mos ketë zbritje gjatë kategorizimit nga ajo që ka qenë deri më tani, gjegjësisht para hyrjes në fuqi të Ligjit të Pagave dhe në mënyrë retroaktive të kompensohet edhe shtesa e muajit shkurt”, thuhet në një njoftim të sindikatës.
Sipas sindikatës, nëse Qeveria nuk u kthen përgjigje deri në fund të javës së ardhshme, atëherë ata do të marrin hapa të tjerë sindikalë.
“Duke u bazuar në konkluzionet e sipërpërmendura kërkojmë nga Qeveria e Republikës së Kosovës që më së largu deri në fund të javës së ardhshme të marrim përgjigje në kërkesat tona në të kundërtën jemi të obliguar që të shqyrtojmë të gjitha mundësitë dhe hapat e tjera sindikal të parapara me ligj”, thuhet në komunikatë.
Ndër pakënaqësitë e tjera të shprehura nga anëtarët e Këshillit ishin edhe: zvogëlimi i pagës neto në disa sektorë dhe nivele të ndryshme në kuadër të PK-së, mospagesa e shtesave për kushte të veçanta dhe specifike të punës për disa kategori të Stafit Civil (punonjësit në PK), pakënaqësitë në kategorizimin e disa profesioneve të Stafit Civil dhe mbështetës, dhe mos përfillja e listës së dërguar nga komisioni i menaxhmentit policor për kategorizimin e profesioneve të ndryshme në PK.
“Kërkojmë nga Qeveria e Republikës së Kosovës që të realizojë shtesat për stafin civil në PK, ashtu siç i kanë realizuar deri më tani para hyrjes në fuqi të këtij ligji dhe gjithashtu të ketë shtesa për punë specifike dhe për kushte të veçanta të punës. Kërkojmë nga Qeveria e Republikës së Kosovës që stafin civil ta kategorizojë sipas listës së dërguar nga Policia e Kosovës Po ashtu, kërkesë e veçantë është që një përfaqësues i sindikatës të marrë pjesë në cilësinë e vëzhguesit në komisionin për caktimin e rrezikshmërisë dhe shtesave të veçanta për kushtet specifike të punës”, thuhet në reagimin e sindikatës së policisë.