Pothuajse gjitha sindikatat e punëtorëve të sektorit publik janë duke protestuar, ose duke u bërë gati për protestë, me kërkesën kryesore për përmirësimin e kushteve të punës, përfshirë edhe pakënaqësitë në paga, shkruan Gazeta Enigma.
Të mërkurën e 4 dhjetorit, Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) organizoi një protestë në Prishtinë për të shprehur pakënaqësitë ndaj Qeverisë dhe Ministrisë së Arsimit.
Në të njëjtën ditë, punëtorët e ndërmarrjes publike “Pastrimi” protestuan kundër angazhimit të kompanive private për grumbullimin e mbeturinave në Prishtinë, duke shprehur shqetësimin se mund të mbesin pa punë.
Por nuk përfundoi me kaq. Sot, më 5 dhjetor, edhe Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës (FSSHK) organizon një protestë. Përmes saj, kjo sindikatë po tenton të shpreh pakënaqësitë lidhur me ndërprerjen e dialogut social me Ministrinë e Shëndetësisë dhe mospajtimin me propozimin e qeverisë për rritjen e koeficientit të pagave.
Këtë e ka bërë të ditur kryetari i Bashkimi i Sindikatave te Pavarura te Kosoves (BSPK), Atdhe Hykolli.
Hykolli në një përgjigje për Gazetën “Enigma” tha se përveq protestave që u organizuan ditën e djeshme nga SBASHK-u, sot edhe Sindikata e Shëndetësisë do të zhvilloj protesta në Prishtinë.
Sindikalistët janë të pakënaqur me vendimin e Qeverisë së Kosovës për rritjen e pagave dhe njëherit me mungesën e Kontratës Kolektive, e cila njihet si “Kushtetuta e punëtorëve”.
Në lidhje me ecurinë e protestës dhe realizimit të kërkesave, Gazeta “Enigma” ka kontaktuar edhe me kryetarine SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, i cili tha se protesta ishte e organizuar mirë dhe nuk pati ndonjë ekses.
“Të them të vërtetën dhe jemi kujdesur që protesta të mos ketë eksese, protesta doli e organizuar mirë dhe numri i pjesëmarrësve ishte i konsiderueshëm i kryetarëve te shoqatave sindikale, kryesive dhe udhëheqësve sindikal, sepse pjesëmarrës kanë qenë vetëm kryetarët nuk e kemi thirrur të gjithë anëtarësinë”, tha Jasharaj.
Tutje ai ka shtuar se “të gjithë kryetarët e shoqatave sindikale i janë përgjigjur kësaj proteste”.
“Neve na mbetet t’a bëjmë një analizë dhe pastaj të shohim, të presim disa ditë a ka ndonjë reflektim, por jam pesimist se zonja Nagavci dhe Qeveria do të reagojnë pozitivisht sepse ata janë të dëshmuar se kanë qasje të gabuara dhe nuk janë të prirur të realizojnë kërkesat as për sindikatën tonë as sindikatat tjera, dhe pastaj i mbetet këshillit të SBASHK-ut që është organi më i lartë t’a vlerësoj situatën dhe të vendos se cilët do të jenë hapat e ardhshëm që do t’i bëjmë”, ka theksuar Jasharaj.
Për ecurinë e gjithë këtij procesi i mbetet Këshillit të vendos se çka do të bëjnë më tutje.
“Është i vetmi organ që vendos për këtë, pra Këshilli drejtues, ku ne pas disa ditësh pritje do të komunikojmë, do të mbajmë takim qoftë fizik qoftë online me antarët e këshillit drejtues që janë përfaqësues të punësuarve dhe i mbetet këshillit të vendos se çka do të bëjmë tutje”, tha Jasharaj për “Enigmën”.
Në “hallakam” edhe punëtorët e “Pastrimit” të kryeqytetit
Shoqata Sindikale e Pastrimit ka zhvilluar të mërkurën protesta përpara objektit të Komunës së Prishtinës.
Protesta u mbajt si shenjë revolte dhe pakënaqësie ndaj tenderit prej 16.5 milionë euro, që pretendohet se e çon kompaninë drejt falimentimit.
“Të gjithë janë të informuar me gjendjen në të cilën janë puntorët. Kërkesat tona i kemi dorëzuar të gjitha dhe me shkrim. Na premtuan një javë ditë, që i bie të premten e kaluar të na japin një përgjigje, përgjigje nuk kemi marrë, isha para dy ditësh prapë këtu nuk e takova askënd, nuk del të na tregojnë çka do të ndërmarrin për KRU Pastrimin. Për ta ndal falimentimin. Kërkesat janë të njëjta për heqjen e tenderit i cili falimenton KRU Pastrimi”, thanë përfaqësues të punëtoreve.
Në lidhje me këtë çështje ka reaguar kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, i cili ka deklaruar se mbështesin SBASHK-un në kërkesat e tyre ndaj Qeverisë.
Përmes një shkrimi në profilin e tij në Facebook, Molliqaj ka thënë se pushtetet autoritare “disiplojnë e kontrollojnë”, dhe sipas tij, kjo del në pah përmes organizimit e rezistencës.
“Mbështesim SBASHK-un në kërkesa dhe manifestimin e tyre përmes protestës. Partia Socialdemokrate e sheh jetike kontratën kolektive dhe avancimin e kushteve të punëtorëve të arsimit. Nuk ka alternativë ndaj organizimit sindikal si hapësirë, e rrallë deri me tani, jashtë kontrollit qeveritar”, tha Molliqaj.
“Pushtetet autoritare disiplinojnë e kontrollojnë, mirëpo kjo bëhet e dallueshme, del në pah, vetëm falë organizimit dhe rezistencës. Janë forcat kundër autoritarizmit ato që dëshmojnë natyrën e pushtetit si të tillë. Në solidaritet me punëtorët e arsimit!”, ka shkruar ai.
Kujtojmë se ministrja Arbërie Ngavci nuk është deklaruar deri më tani pas protestës së SBASHK-ut. /Gazeta Enigma/