Tash e disa javë QKMF-të e vendit janë të mbingarkuara me pacientët e sëmurë nga grip sezonal.
Madje sipas IKSHPK-së, gjatë javës së kaluar rastet me grip sezonal janë rritur 1.5 herë më shumë krahasuar me javën paraprake.
E, nëse vazhdon ky trend përgjatë dy javëve të ardhshme, Kosova mund të hyjë në epidemi të gripit.
Sipas drejtuesit të Laboratorit të Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK, Xhevat Jakupit, gjatë muajit të fundit janë testuar rreth 600 mostra në influencë, ku afro 300 sosh kanë rezultuar me influencë A dhe subtipH3.
Jakupi theksoi se i gjithë ky masivitet i përhapjes së gripit është indikacion i mospërfilljes së masave anti-COVID, ngase shpërndarjes së gripit nuk i duhen shumë ditë.
Sipas të dhënave zyrtare të IKSHPK-së, që nga 1 tetori deri më 12 dhjetor janë raportuar 15 mijë e 768 raste të sëmundjes të ngjashme me grip, 2 mijë e 498 të tjera me infeksion respirator akut, dhe 69 raste me infeksion të rëndë respirator akut.