Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar sot se Republika Arabe e Sirisë ka njohur zyrtarisht Republikën e Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran.
Në një deklaratë të bërë nga Riadi, Osmani tha se kjo marrëveshje u arrit falë mbështetjes së Princit të Kurorës së Arabisë Saudite, Muhammed bin Salman Al Saud, duke e cilësuar aktin si historik për shtetin e Kosovës.
“Siria njeh Kosovën! Me mbështetjen e Lartësisë së tij Mbretërore, Princit të Kurorës së Arabisë Saudite, sot në Riad arritëm marrëveshjen përmes së cilës Republika Arabe e Sirisë njeh Republikën e Kosovës. Falënderoj Presidentin Al Sharaa për vendimin për njohje të Kosovës si dhe për mbështetjen e tij për popullin tonë”, ka shkruar Osmani.
Sipas saj, kjo njohje nuk është vetëm një hap diplomatik, por edhe nderim i sakrificës së popullit të Kosovës dhe të Sirisë për liri.
“Populli i Kosovës dhe ai i Sirisë kanë vuajtur e sakrifikuar shumë për ta arritur lirinë. Kjo njohje e ndërsjellë sot është njohje e sovranitetit shtetëror dhe e sakrificës së brezave për të jetuar të lirë”, theksoi Presidentja.
Osmani i ka shprehur falënderim të veçantë edhe Princit të Kurorës së Arabisë Saudite për rolin e tij në këtë vendim të rëndësishëm diplomatik.
Me këtë njohje të re, numri i shteteve që e njohin pavarësinë e Kosovës arrin në 120 shtete.
“Republika jonë po ecë përpara dhe nuk ka asgjë që mund ta ndalë!”, përfundoi Osmani.
