Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është kërcënuar mbrëmë. Nuk dihet ende se për çfarë kërcënimi bëhet fjalë, e as nga kush është kërcënuar, por para shtëpisë së tij janë parë forca të shtuara të policisë.
E përderisa mbrëmë atje ndodheshin edhe pjesëtarë të Njësisë Speciale, sot ka pak pjesëtarë të policisë.
Gazetarët që po qëndrojnë atje thonë se situata është e qetë.
Në fotot e siguruara, shihen tre policë poshtë shtëpisë së tij.
Ndryshe, lajmin për kërcënimin e Kurtit e ka bërë të ditur zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.
“Kryeministri Kurti është kërcënuar. Për këtë arsye, si masë e kujdesit të shtuar, është rritur edhe niveli i tij i sigurisë”, ka deklaruar Kryeziu.
Ai shtoi tutje se “Institucionet e hetuesisë dhe sigurisë tashmë janë duke bërë punën e tyre”.
Kryeziu tha se kryeministri vazhdon angazhimin e tij të rregullt.
“Ato bëjnë vlerësimet e nevojshme dhe ndërmarrin masat përkatëse. Në anën tjetër, kryeministri vazhdon angazhimin e tij të rregullt”, tha Kryeziu.
Nuk është bërë e ditur për çfarë kërcënimi bëhet fjalë, e as kush e ka kërcënuar kryeministrin.